Pesë minuta nga historia, mbrojtja e Vllaznia nën akuzë
Vllaznia nuk ia doli të kualifikohej në turin e tretë të “Conference League”, me shkodranët që ishin vetëm 5 minuta larg historisë. Me ekipin e Martinit që po barazonte 2-2 në ndeshjen e kthimit në Islandë në minutën e 85-të të takimit.
Gëzim që do të zgjaste shumë pak për 9 herë kampionët e vendit tonë, pasi Vikingur do të shënonte vetëm pas 1 minute golin e shifrave 3-2. Rezultat që do të dërgonte ndeshjen në 30 minutat e shtesës, ku vendasit shënuan sërish për rezultatin 4-2. Që ngeli i pandryshuar deri në fund dhe me Vllazninë të pa fuqishme për të reaguar, ishin ishullorët skandinavë që arritën kualifikimin në turin e tretë të “Conference League”.
E për Vllazninë u rishfaqën problemet që kuqeblutë kanë pasur që nga ndeshja e parë sezonale ndaj Daugavpils në Elbasan. Me mbrojtjen e shkodranëve që duket se fut “ujë”. Në 4 ndeshjet zyrtare e zhvilluara deri më tani, të gjitha në “Conference League”, skuadra ka pësuar 8 gola. Me një mesatare prej 2 golash të pranuar në portën e saj për ndeshje, që është shumë për një ekip që ka ambicie dhe pretendime të larta. Po ashtu loja në ajër ka qenë një tjetër pikë e dobët e shkodranëve, të cilët kanë vuajtur në pafundësi goditjet me kokë të kundërshtarëve. Dhe sidomos vendosjet në goditjet nga këndi, ku kundërshtarët kanë qenë thuajse në çdo duel superior ndaj kuqebluve.
Me Elmando Gjinin, ndoshta si të vetmin futbollist që “shpëton” nga mbrojtja e shkodranëve falë performancave të tija. Një problematikë që e ka shoqëruar skuadrën në të gjitha ndeshjet dhe ndoshta me të vërtetë “mëkat” pasi ekipi ka pësuar gola më shumë se të evitueshëm. Patjetër kjo është një “kambanë alarmi” për Martinin dhe stafin e tij teknik në prag të nisjes së sezonit të ri në Superiore. Ku Vllaznisë i duhet të analizojë dhe korrigjojë gabimet e këtyre ndeshjeve të zhvilluara në Conference League.