“Çnjerëzi pa kufij” – Macron shpërthen ndaj Hamasit: Lirimi i pengjeve, prioritet absolut! Franca kërkon çarmatosjen e plotë të grupit
Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar ashpër pas publikimit të videove tronditëse që tregojnë pengje izraelite të rraskapitura, ende të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës. Ai e cilësoi këtë akt si “çnjerëzi të pakufishme” dhe “pamëshirshmëri të turpshme”.
“Pamjet e padurueshme të pengjeve izraelite në Gaza e kujtojnë me tmerr se çfarë përfaqëson Hamasi. Prioritet absolut është lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i të gjithë pengjeve,” shkroi Macron në një postim në platformën X, duke përmendur në veçanti Avyatar David dhe Rom Braslavsky, së bashku me dhjetëra të tjerë që ndodhen në robëri për më shumë se 660 ditë.
Ndihma humanitare dhe presioni për armëpushim
Presidenti francez konfirmoi se Franca ka nisur dërgesat ajrore të ndihmave në Gaza dhe është angazhuar për shtimin e presionit ndërkombëtar për një armëpushim të menjëhershëm dhe shpërndarje masive të ndihmave humanitare, që aktualisht mbeten të bllokuara në kufi.
Sipas tij, 40 ton ndihma janë nisur drejt enklavës palestineze, ndërkohë që OKB paralajmëron për uri të përhapur në të gjithë territorin.
Franca gati të njohë Palestinën, me kushte të qarta
Macron deklaroi se në muajin shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës, por me kushte të qarta politike.
“Zgjidhja e vetme qëndrueshme është ajo me dy shtete – Izrael dhe Palestina – që bashkëjetojnë në paqe. Por kjo kërkon çarmatosjen e plotë të Hamasit, përjashtimin e tij nga çdo formë qeverisjeje, dhe njohjen e Izraelit nga shteti palestinez,” theksoi Macron.