Sun, Aug 3, 2025

Netanyahu kërkon ndërhyrjen e Kryqit të Kuq për pengjet izraelite në Gaza! Mes krizës humanitare, Izraeli lejon dërgesat e para të karburantit

  • PublishedAugust 3, 2025

Netanyahu kërkon ndërhyrjen e Kryqit të Kuq për pengjet izraelite në Gaza! Mes krizës humanitare, Izraeli lejon dërgesat e para të karburantit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar ndërhyrje urgjente Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, për të garantuar ushqim dhe trajtim mjekësor për pengjet izraelite në Gaza, teksa situata humanitare në territorin palestinez po përshkallëzohet çdo ditë.

Në një postim në platformën X, Netanyahu akuzon Hamasin për abuzim sistematik ndaj pengjeve, ndërsa shfaqet i ashpër edhe ndaj indiferencës ndërkombëtare:

“Pamjet tronditëse që vijnë nga Gaza kujtojnë krimet naziste. Është paradoksale: Hamas flet për urinë, por vetë i dënon pengjet me uri.”

Kryeministri izraelit kërkoi gjithashtu dënim të ashpër ndërkombëtar për Hamasin dhe Xhihadin Islamik, si dhe ndalimin e çdo mbështetjeje ndaj tyre, duke theksuar se veprimet e tyre janë shkelje flagrante e Konventës së Gjenevës.

Ndërkohë, kriza humanitare në Gaza thellohet. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së enklavës, në 24 orët e fundit gjashtë persona të tjerë kanë vdekur nga uria, duke e çuar totalin në 175 viktima, përfshirë 93 fëmijë.

Në një përpjekje për të zbutur presionin ndërkombëtar, Izraeli ka lejuar hyrjen e katër cisternave me karburant, të financuara nga OKB-ja, për spitale, furra dhe kuzhina publike në Gaza.

Megjithatë, OKB dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo është larg së mjaftueshmja dhe kërkojnë lejimin e ndihmës tokësore në shkallë të gjerë.

Sipas OKB-së, hedhjet ajrore janë simbolike, por nuk mbulojnë nevojat e mbi 2.2 milionë banorëve të Gazës, shumica e të cilëve jetojnë të zhvendosur, në rrënoja, pa ushqim, pa ilaçe dhe pa ujë.