Mon, Aug 4, 2025

Protesta masive pro-Bolsonaro në Brazil! Mbështetësit kërkojnë amnisti dhe sulmojnë Gjykatën e Lartë

  • PublishedAugust 3, 2025

Protesta masive pro-Bolsonaro në Brazil! Mbështetësit kërkojnë amnisti dhe sulmojnë Gjykatën e Lartë

Mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro kanë dalë sërish në rrugët e qyteteve kryesore të Brazilit, në një valë protestash kundër Gjykatës së Lartë dhe presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva. Ata kërkojnë amnisti për të përfshirët në tentativën për grusht shteti, të ndodhur pak ditë pas betimit të Lulës në janar 2023.

Në fokus të zemërimit të protestuesve është gjyqtari Alexandre de Moraes, i cili ka urdhëruar një sërë masash ndaj Bolsonaro-s dhe bashkëpunëtorëve të tij. Bolsonaro, aktualisht në arrest shtëpie, nuk mund të dalë gjatë fundjavave apo festave zyrtare dhe është pajisur me byzylyk elektronik.

Gjatë një prej tubimeve në Rio de Janeiro, djali i tij, senatori Flavio Bolsonaro, telefonoi të atin gjatë fjalimit, duke i përçuar turmës një mesazh mbështetës me zërin e tij.

Vendimi për gjykimin e Bolsonaro-s u mor në mars nga një panel pesëanëtarësh i Gjykatës së Lartë Federale (STF), që e akuzon për konspiracion për përmbysjen e rezultatit zgjedhor. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti rrezikon vite të gjata burgimi.

Ndërkohë, gjyqtari Moraes ka urdhëruar hetime të reja ndaj familjes Bolsonaro. Dyshohet se Jair dhe Eduardo Bolsonaro – ky i fundit deputet dhe aktualisht banues në SHBA – kanë bashkëpunuar me autoritete amerikane për të ndikuar në çështje të brendshme braziliane, përfshirë hetimet për zgjedhjet.