Mon, Aug 4, 2025

Ekzekutimi i rojës në Vlorë, Gjykata lë në burg Kleanth Bylykun! Dyshohet se largoi ekzekutorin rumun

  • PublishedAugust 4, 2025

Ekzekutimi i rojës në Vlorë, Gjykata lë në burg Kleanth Bylykun! Dyshohet se largoi ekzekutorin rumun

NIKOLETA KOVAÇI/ Ditën e djeshme Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ta lënë në masën arrest me burg, bashkëpunëtorin e dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhajt më 27 prill.

Seanca për Kleanth Bylykun allias Armando Gega u mbajt një ditë më parë, teksa ndaj tij ishte lëshuar prej kohësh mandat arresti pikërisht në lidhje me ngjarjen që ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i ekzekutimit. 42-vjeçari ra në prangat e policisë më 1 gusht, teksa po udhëtonte me një mjet tip Audi të bardhë.

Bylyku nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës pasi rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë Policia ka arritur të identifikojë edhe autorin e vrasjes. Bëhet fjalë për një shtetas rumun, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit. Pas vrasjes, ai ka arritur të largohet nga Shqipëria. Bylyku ka pasur rolin e ndihmësit në vrasje, ndërsa qitësi ka qenë rumuni. Për vrasjen e Hoxhajt, më datë 30 prill u arrestua edhe Eris Mehmetaj, i akuzuar si bashkëpunëtor.

Mehmetaj dyshohet se ka siguruar automjetin me të cilin autori ka lëvizur në Vlorë ditën e ngjarjes. Ai ishte mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në Greqi, ndërsa në rrjetet sociale shfaqte jetën luksoze në Dubai. Grupi hetimor dyshon se ekzekutimi i 58-vjeçarit u porosit nga Dubai, ku strehohen grupet kriminale. Ka dyshime se viktima mund të ketë qenë informator për grupin kundërshtar. Me maskë dhe kapele, ai i zë pritë Hoxhajt sapo del nga banesa dhe e qëllon me 4 plumba pistolete. Vrasësi, i dyshuar me pagesë, arriti të humbasë gjurmët duke u larguar në shtegun me bimësi, drejt kodrës “Kuzum Baba”.

ZBARDHJA E KRIMIT

Vrasja e Renato Hoxhajt, me një mekanizëm thuajse mafioz trondit Vlorën, pasi viktima ishte një njeri i thjeshtë dhe nuk njihej nga askush as për sherre jo për përfshirje në ndonjë ngjarje kriminale. Policia humbi gjurmët e atentatorit, ndonëse për fat një kamera kishte fiksuar targat e një makine, që më vonë rezultoi të ishte e një djali nga veriu, targë që, në fakt, çoi edhe në zbardhjen e krimit ditë më vonë. Atentatori, i maskuar tërësisht, i zuri pritë Renato Hoxhës, i cili shërbente si roje objekti, sapo doli nga shtëpia e tij duke e ekzekutuar. Bashkëjetuesja e tij i orientoi hetuesit drejt një piste që, në fakt, dukej e besueshme e që lidhje me çështje pronësie, por hetimet intensive në lidhje me zbardhjen e krimit e çuan grupin hetimor tek dyshimi se porosia mund të kishte ardhur nga Dubai.

Vënia në pranga e të zotit të makinës, çoi në zbulimin e disa fakteve ndonëse i arrestuari i parë nuk pranoi të kishte dijeni mbi faktin se përse mund ta kishte përdorur makinën miku i tij, ai tregoi se mjetin ia kishte dhënë një shokut të vet për të ikur në Greqi dhe, në fakt, të dhënat që u zbuluan më vonë përkonin me dëshminë e të zotit të makinës, por ai është mbajtur nën akuzë deri në përfundimin e hetimeve, pasi prokuroria e Vlorës e dyshon si personin që ka siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes. Nga verifikimet u bë me dije se personi që përdori mjetin e djalit nga veriu ishte pikërisht Kleanthi Bylyku, ndërsa që personi që ka kryer krimin, sipas policisë është i identifikuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton të jetë shtetas rumun./Gazeta Panorama