Mon, Aug 4, 2025

Berisha akuzon për presion ndaj OSBE/ODIHR, reagon Ministria e Jashtme: Vetëm sqarime teknike, jo ndërhyrje!

  • PublishedAugust 4, 2025

Berisha akuzon për presion ndaj OSBE/ODIHR, reagon Ministria e Jashtme: Vetëm sqarime teknike, jo ndërhyrje!

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka mohuar kategorikisht akuzat e kreut të PD-së, Sali Berisha, se ministri Igli Hasani ka ushtruar presion ndaj vëzhguesve të OSBE/ODIHR për raportin mbi zgjedhjet e 11 majit.

Në një reagim zyrtar për mediat, ministria thekson se nuk ka pasur asnjë formë ndërhyrjeje apo presioni, por vetëm “sqarime teknike dhe kontekstuale” të dërguara në mënyrë institucionale.

“Është praktikë normale që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin sqarime pranë misionit vëzhgues, për çështje që konsiderohen të rëndësishme për raportin përfundimtar,” thuhet në reagim.

Sipas MEPJ, çdo koment i bërë është në kompetencën e ODIHR-it për ta marrë ose jo parasysh, ndërsa nënvizohet se organizata ka reaguar më parë duke mohuar çdo formë presioni.

Ministria thekson se mbetet e përkushtuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e misioneve ndërkombëtare, në përputhje me mandatin e tyre zyrtar.

Reagimi: 

Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:

Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.

Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.

Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.

Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.

MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR.