Wed, Aug 6, 2025

“Letër misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë MPJ!”, Berisha për reagimin e Hasanit: Ministri i Jashtëm ushtar dhe avokat i farsës elektorale të 11 majit

  • PublishedAugust 5, 2025

“Letër misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë MPJ!”, Berisha për reagimin e Hasanit: Ministri i Jashtëm ushtar dhe avokat i farsës elektorale të 11 majit

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, pas publikimit të raportit të misioneve ndërkombëtare për zgjedhjet e 11 majit.

Përmes një konference me gazetarët, Berisha e cilësoi Hasanin si “narko-ministri” dhe e akuzoi se po vepron si avokat i asaj që ai e quan një farsë elektorale. Ai shprehu habi mbi faktin që ministri i Jashtëm u ka dërguar një letër misioneve ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre për zgjedhjet vendore.

“Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë rast ministri i Jashtëm nuk duhej të bëhej palë me PS-në”, deklaroi Berisha, duke shtuar se një veprim i tillë është dëshmi e bashkimit të partisë me shtetin.

Sipas tij, vetë raportet ndërkombëtare dëshmojnë se zgjedhjet e fundit nuk ishin të lira, por vetëm një farsë, dhe se veprimi i Hasanit e konfirmon këtë realitet.

Berisha: Narko-ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme, duke faktuar pakundërshtueshëm se ai, njëlloj si Altin Troplini, është një ushtar i Edi Ramës, është një avokat i farsës elektorale të 11 majit 2025.

Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?

Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë.

Pra, letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale.

Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar.

Unë dënoj me forcën më të madhe këtë deklaratë, reagimin e tij.

Sikundër deklaroj edhe përpjekjet e Altin Troplinit për të përdorur ligjin kundër opozitës.

Keni parasysh sot se deputeti Asllan Dogjani është në ndjekje absolutisht pa asnjë shkak ligjor.

Tani përpiqen, po merren me një problem të zgjedhjeve të vitit 2023 me aktivistin e PD, Shkëlqim Hoxha sepse disa paskan paguar disa bileta për të ardhur dhe votuar në Rrogozhinë.

Pra, gjithçka bëhet për të mbuluar farsën.