Skandal në Greqi, ministra dhe zyrtarë të lartë akuzohen se përvetësuan fondet e BE-së për bujqësinë! Kyriakos Mitsotakis u del në mbrojtje dhe bllokon hetimet
Ministrat dhe zyrtarë të lartë të qeverisë greke janë përfshirë në një nga skandalet më të mëdha financiare në vitet e fundit në vend, pasi dyshohen për pjesëmarrje në një mashtrim masiv me subvencionet bujqësore të Bashkimit Evropian.
Sipas një dosjeje 3.000-faqëshe të siguruar nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), zyrtarët grekë përfituan në mënyrë të paligjshme qindra miliona euro duke përdorur prona që nuk i zotëronin, ose duke paraqitur projekte të rreme bujqësore, në dëm të fermerëve.
Por pavarësisht se disa ministra aktualë dhe ish-ministr të dyshuar për skandalin e fondeve të BE-së, hetimet e mëtejshme po pengohen nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili po mbron zyrtarët e vet përmes fuqisë politike që ka në parlament, raporton Politico.
“Greqia në vitin 2025 nuk ka nevojë për skandale, por për të vërteta,” tha Mitsotakis në një fjalim para parlamentit, duke tentuar të justifikojë mospërfshirjen e drejtësisë në çështjen në fjalë.
Kjo mbrojtje politike për zyrtarët nën hetim bazohet në një klauzolë ligjore greke, e cila e lejon vetëm parlamentin të autorizojë ndjekjen penale të ministrave në detyrë.
Dosja EPPO, një “organizatë kriminale” në zemër të shtetit
Sipas EPPO, rrjeti i përfshirë në mashtrim përfshin zyrtarë të OPEKEPE – agjencia që menaxhon fondet e BE-së për bujqësinë – si dhe politikanë e biznesmenë.
Ata kanë vepruar në mënyrë të organizuar për të shmangur kontrollet dhe për të kanalizuar fondet drejt personave të lidhur politikisht me pushtetin. Përgjimet në dosje zbulojnë diskutime të drejtpërdrejta për:
• Shmangien e inspektimeve
• Dorëheqje të detyruara të zyrtarëve të ndershëm
• Mbrojtjen e “njerëzve tanë” brenda sistemit
Emrat në qendër të skandalit
Dy ish-ministrat e bujqësisë, Lefteris Avgenakis dhe Makis Voridis (ky i fundit ka shërbyer edhe si ministër shteti), janë veçuar në dosje për hetime të mëtejshme mbi përvetësimin e fondeve të BE-së. Të dy kanë mohuar akuzat.
Presidenti i atëhershëm i OPEKEPE, Grigoris Varras, kishte paralajmëruar për problemet me “kullotat fantazmë” që në vitin 2020, por u detyrua të jepte dorëheqjen nga ministri Voridis – i cili vazhdoi të mbajë pozita të larta qeveritare deri në qershor 2025.
Greqia humb fonde – BE kërkon llogari
Si pasojë e skandalit, Komisioni Evropian i ka ndërprerë Greqisë gati 400 milionë euro fonde bujqësore, ose mbi 20% të pagesave të drejtpërdrejta që vendi do të merrte vitin e ardhshëm.
EPPO thekson se dëmi total ndaj fondeve të BE-së nuk është vlerësuar ende, ndërsa hetimet vijojnë, me Brukselin që kërkon transparencë dhe ndëshkim të përgjegjësve.