Libani miraton planin amerikan për çarmatosjen e Hezbollahut brenda 2025
Qeveria e Libanit ka miratuar parimisht planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për çarmatosjen e Hezbollahut deri më 31 dhjetor 2025, si dhe për tërheqjen graduale të forcave izraelite nga territori libanez. Lajmi u konfirmua nga ministri i Informacionit, Paul Morcos, pas një mbledhjeje të kabinetit.
Plani, i hartuar nga i dërguari amerikan Tom Barrack, përfshin katër faza që parashikojnë ndër të tjera:
• çarmatimin e menjëhershëm të Hezbollahut;
• shtrirjen e kontrollit shtetëror mbi të gjitha armët;
• tërheqjen e Izraelit nga pesë pozicione në jug të Libanit;
• zgjidhjen e statusit të kufijve me Izraelin dhe Sirinë;
• dhe organizimin e një konference ndërkombëtare për rindërtimin e Libanit.
Vendimi shkaktoi përplasje politike: përfaqësuesit e Hezbollahut dhe aleatët shiitë e braktisën mbledhjen në shenjë proteste.
Faza e fundit e planit përfshin çmontimin e raketave dhe dronëve të Hezbollahut, ndërsa shtetet sponsore – SHBA, Arabia Saudite, Franca dhe Katari – do të garantojnë mbështetjen ekonomike të Libanit.
As Hezbollah dhe as Izraeli nuk kanë reaguar zyrtarisht deri tani, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.