Gjashtë organizatat rajonale të rrjetit ‘SafeJournalists’ dënojnë rrethimin e News 24 nga Policia: Të hiqet menjëherë bllokada ndaj Focus Media Group
Rrjeti ‘SafeJournalists’ së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Bosnjës, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi, kanë shprehur shqetësim të thellë për operacionin e policisë së zhvilluar më sot (9 gusht 2025) kundër Focus Media Group, duke përfshirë mediat News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Rrjeti SafeJournalists thekson se, pavarësisht mosmarrëveshjeve pronësore të raportuara me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, çdo veprim që ndikon në funksionimin e mediave duhet të bëhet vetëm pas një procesi ligjor të rregullt dhe me ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për informim.
Reagimi:
Sipas komunikimit zyrtar të Focus Media Group, në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit ka rrethuar godinën ku ushtrojnë aktivitetin këto media, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe, për pasojë, ka lënë Neës24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve u është penguar hyrja në redaksitë e tyre, duke bllokuar efektivisht punën e disa redaksive dhe duke e privuar publikun nga qasja në informacion dhe përmbajtja në transmetim e Neës24. Që nga ora 10:00, Neës24 ka vijuar transmetimin përmes kanalit në YouTube.
Godina raportohet se është objekt i një mosmarrëveshjeje pronësore me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila mori në pronësi këtë vit objektin.
Rrjeti SafeJournalists kujton se, ndonëse mosmarrëveshje të tilla mund të ndodhin, çdo veprim që ndikon në funksionimin e mediave duhet të ndjekë një proces të rregullt ligjor, të mbështetet në një bazë të qartë ligjore dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Duhet t’i jepet gjithashtu kohë e mjaftueshme medias për t’u zhvendosur dhe për të siguruar ambiente të tjera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e punës dhe të mos pengohet aktiviteti gazetaresk.
Pavarësisht çdo çështjeje që mund të ketë të bëjë me vetë Focus Media Group, me linjën editoriale apo me sfidat e brendshme, ndërhyrja e sotme e paprecedentë është shqetësuese dhe kërkon vëmendje urgjente nga të gjithë aktorët e angazhuar për mbrojtjen e lirisë së medias dhe proceseve demokratike.
Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të heqin menjëherë bllokadën, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të sigurojnë qasje të plotë e të pakufizuar për gazetarët në vendet e tyre të punës. Autoritetet duhet të japin një shpjegim publik të qartë mbi bazën ligjore dhe autorizimin për këtë veprim. Kërkojmë që çdo masë e ardhshme ndaj mediave të realizohet në përputhje të plotë me procesin e rregullt ligjor, nën mbikëqyrje gjyqësore dhe sipas parimit të ndërhyrjes minimale në aktivitetin gazetaresk.
Ndërkohë që përgjegjësia kryesore u takon autoriteteve për të respektuar dhe mbrojtur lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar, u bëjmë thirrje edhe pronarëve dhe aksionerëve të mediave dhe të ambienteve të përfshira të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe urgjente për të gjetur një zgjidhje që garanton punën, sigurinë dhe stabilitetin e gazetarëve dhe siguron qasje të pandërprerë në informacion për publikun.
Ne shprehim solidaritet me gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga situata në Neës24, BalkanËeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 9 Gusht 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikatë e Mediave e Malit të Zi