Organizatat e lirisë së medias dënojnë gjuhën e urrejtjes ndaj AGSH-së

Dy nga organizatat më aktive në mbrojtjen e lirisë së medias, Rrjeti për Gazetarë të Sigurt dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), shprehën shqetësim të premten për publikimin e një artikulli denigrues që shënjestronte anëtarët e bordit të AGSH-së, Isa Myzyraj dhe Osman Stafa, duke përdorur gjuhë urrejtjeje.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ECPMF, një prej organizatave kryesore të gazetarëve me qendër në Leipzig, Gjermani, dënoi me forcë publikimin e artikullit, i cili sipas saj lidhet me rolin aktiv që AGSH ka marrë në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Shqipëri.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) është vënë në shënjestër nga një artikull tepër denigrues,” u shpreh ECPMF.
“Ky sulm pason punën e shkëlqyer të AGSH-së në dokumentimin e zhvillimeve që përfshijnë Focus Media Group,” shtoi Qendra Europiane.
Edhe Rrjeti për Gazetarë të Sigurt (Safe Journalists) theksoi se sulmi vjen pas punës së AGSH-së për të dokumentuar dhe sensibilizuar publikun mbi situatën që përfshin Focus Media Group, ku punonjësit e medias janë lënë pa mbështetje pas një mosmarrëveshjeje pronësore me autoritetet publike.
“Një gjuhë e tillë dhe sulme personale janë të papranueshme, veçanërisht kur drejtohen ndaj gazetarëve që po kryejnë detyrën e tyre për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar,” tha Safe Journalists.
“Këto taktika synojnë jo vetëm të diskreditojnë punën e tyre, por edhe të krijojnë një klimë armiqësore për ushtrimin e lirë të gazetarisë në Shqipëri.”
Safe Journalists njoftoi se ka informuar zyrtarisht Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbi natyrën diskriminuese të artikullit dhe ka kërkuar nga institucioni të ndërmarrë masat e duhura, përfshirë edhe një dënim publik të kësaj gjuhe.