Befason Regi Lushkja, zgjedh Iranin për të vijuar karrierën
Në vigjilje të sezonit të ri, Egnatia humbet një nga lojtarët më të mirë, liderin absolut të ekipit, Regi Lushkja. Në fakt, prej ditësh flitej që Lushkja do të largohej, me destinacion Turqinë, por presidenti i Egnatias, Agim Demrozi reagoi për mediat duke qetësuar tifozët se Lushkja nuk do të shitet. Me sa duket situata ka ndryshuar totalisht, pasi kampionët në fuqi reaguan me anë të një postimi në rrjetet sociale duke bërë zyrtare largimin e Regi Lushkjas.
Mesfushori ka befasuar jo pak me të ardhmen e tij pasi duke nisur nga sezoni i ri do të luajë në Iran, tek ekipi i Traktorit: “Faleminderit Regi Lushkja! Ju njoftojmë se është arritur marrëveshja me klubin iranian Tractor FC për transferimin e lojtarit. Suksese goalman”, lexohet në postimin e klubit të Egnatias.
Në Iran, Lushkja nuk do të jetë vetëm pasi pak ditë më parë të njëjtin destinacion zgjodhi edhe sulmuesi i Kombëtares, Jasir Asani.
()