Të drejtat dixhitale: Privatësia dhe liria e shprehjes nën kërcënim

Ndërsa të dhënat personale po politizohen dhe monetizohen gjithnjë e më shumë, rritet nevoja për të mbrojtur në mënyrë efektive të drejtat e privatësisë, siç theksohet nga monitorimi i BIRN-it për shkeljet dixhitale në dhjetë vende të Evropës Juglindore muajin e kaluar.
Në Serbi, një rrjedhje të dhënash nga kompania shtetërore e IT-së, Informatika A.D, konfirmoi se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit ka përdorur softuerin Izraelit, Cellebrite, i cili ofron mjete dixhitale shkencore të përdorura zakonisht nga forcat e rendit dhe qeveritë për të nxjerrë të dhëna nga pajisjet elektronike, të paktën që nga viti 2015.
Raportet e mëparshme kanë zbuluar përdorimin e pajisjeve digjitale të spiunazhit kundër aktivistëve dhe gazetarëve në Serbi, përfshirë stafin e BIRN-it, duke ngritur shqetësime serioze në lidhje me mbikëqyrjen shtetërore dhe shkeljet e privatësisë.
Informatika A.D, e cila mohoi lidhjet me Cellebrite, dyshohet se pësoi një shkelje masive të të dhënave, me 2.6 terabajt të dhënash të ndjeshme të rrjedhura. Kompania konfirmoi se ishte shënjestruar nga një grup kriminal që u përpoq t’i grabiste ata duke kërkuar një shpërblim për të dhënat. Incidenti u raportua në Zyrën e Prokurorit për Krimin e Organizuar.
Në Rumani, organet e mbrojtjes së të dhënave trajtuan njësoj si në Kroaci, një numër të madh shkeljesh të privatësisë.
Ish-kandidati i pavarur presidencial rumun i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, u gjobit me 10,000 Euro për instalimin e cookies pa pëlqimin e përdoruesit dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të mbledhura përmes faqes së tij të internetit të fushatës.
Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, AUR, një parti e ekstremit të djathtë, u gjobit me 25,000 Euro për mbledhjen e të dhënave të tepërta dhe të pasigurta përmes një aplikacioni për telefonë të lëvizshëm dhe faqeve të fushatës në internet.
Dobësitë e aplikacionit lejuan akses të paautorizuar në të dhëna të ndjeshme, siç janë numrat e identitetit dhe nënshkrimet, duke ngritur shqetësime në lidhje me profilizimin politik dhe keqpërdorimin e të dhënave.
Në një rast tjetër, kompania rumune e ushqimit, Agricola International, u gjobit pasi një sulm kibernetik ekspozoi informacionin e punonjësve, duke përfshirë numrat e identitetit dhe të dhënat financiare. Autoritetet rumune vunë re dështimin e kompanisë për të zbatuar mbrojtje të përshtatshme ose për të njoftuar njerëzit për shkeljen në kohë.
Në mënyrë të ngjashme, në Kroaci, një gjobë prej 175,000 eurosh iu vendos një kompanie bastesh sportive për shkak të dështimit për të zbatuar masa teknike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe trajtimit jo të duhur të të dhënave të përdoruesve. Gjithashtu, Byroja kroate e Sigurimeve u gjobit me 101,000 Euro për moszbatimin e masave të duhura organizative dhe teknike për të mbrojtur të dhënat personale, pas një rrjedhjeje informacioni që ekspozoi informacionin e automjetit të mbi një milion qytetarëve.
Në Turqi, kompania MANULAS në pronësinë e Bashkisë së Manisës, u godit nga një sulm ransomëare që kompromentoi të dhënat e mbi 1.2 milion qytetarëve. Informacionet përfshinin të dhëna shëndetësore, numra identifikimi, kontakte dhe adresa, profesionin, numra targash automjetesh dhe foto personale, duke nënvizuar rreziqet e sigurisë së dobët kibernetike komunale.
Në një rast tjetër, rreth 143,000 klientë të Louis Vuitton në Turqi patën informacion personal të ekspozuar përmes aksesit të paautorizuar në llogarinë e një ofruesi shërbimesh të palës së tretë. Të dyja shkeljet u konfirmuan nga autoriteti turk i Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Në Hungari, një shkelje e aplikacionit celular të qendrës tregtare “Etele Plaza” kompromentoi të dhënat personale të më shumë se 166,000 përdoruesve, duke përfshirë emrat, detajet e kontaktit dhe të dhënat e programit të besnikërisë.
Në Mal të Zi, përdoruesit e mediave sociale ndanë të dhëna personale dhe fotot e një gruaje, burri i së cilës vrau fëmijën e tyre dhe më pas u vetëvra.
Ngjashëm, në Shqipëri, mediat raportuan për abuzimin seksual të një të mituri duke publikuar emrat, fotot dhe adresat e familjes së viktimës, duke e bërë fëmijën lehtësisht të identifikueshëm dhe duke rritur stigmën. Ndërkohë, në Shqipëri, një grua përdori platformën qeveritare e-Albania për të marrë ilegalisht një kredi duke përdorur të dhënat e një qytetari tjetër.
Media nën sulm

Në të gjithë Evropën Juglindore, gazetarët, mediat e pavarura dhe platformat satirike u përballën me kërcënime dixhitale, një pjesë e të cilave nga shtetet, duke përfshirë ngacmimin online, fushatat e shpifjes dhe sulmet kibernetike.
Në Shqipëri, media investigative dhe ato të verifikimit të fakteve si BIRN Albania dhe Faktoje.al u shënjestruan në një artikull shpifës nga “PatriotikMedia.al”, i cili i akuzoi ata për “censurë të rrezikshme” dhe i paraqiti gazetarët e tyre si komplotistë që punojnë kundër interesave kombëtare.
Në një praktikë më të gjerë presioni, një faqe satirike në shqip, kritike ndaj qeverisë, u kufizua në Facebook pas raportimit masiv të koordinuar, gjoja nga mbështetës të qeverisë, ndërsa një media u mbyll për shkak të një sulmi me programe keqdashëse.
BIRN Kosova dëshmoi një fushatë dezinformimi që synonte organizatën dhe drejtoreshën e saj, Jeta Xharra. Shpifja u iniciua nga gazetarë vendas dhe akuzoi në mënyrë të rreme BIRN se merrte fonde publike për projekte specifike. BIRN kundërshtoi përmes një reagimi të detajuar, ku sqaroi se fondet u dhanë në mënyrë transparente përmes programeve të financuara nga Zvicra dhe BE, dhe njoftoi procedura ligjore kundër individëve përgjegjës.
Në Turqi, incidente të shumta të regjistruara nga monitoruesit e të drejtave dixhitale të BIRN nxjerrin në pah shtypjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj lirisë së gazetarëve dhe shprehjes satirike. Katër anëtarë të stafit të revistës satirike, Leman, u ndaluan pasi publikuan një karikaturë që dyshohet se përshkruante Profetin Muhamed. Kjo pasoi një reagim të ashpër në internet nga grupet islamike dhe kulmoi me sulmin fizik ndaj zyrës së revistës. Një gjykatë më pas bllokoi aksesin në faqen e internetit të Leman.
Në një rast tjetër, gazetari Timur Soykan u ndalua dhe u akuzua për postime në mediat sociale që kritikonin arrestimin e kryetarëve të bashkive opozitare turke. Megjithëse më vonë u lirua nën mbikëqyrje gjyqësore, ai mbetet nën një ndalim udhëtimi dhe kontrolle të detyrueshme policore.
Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, gazetarët u përballën me fushata shpifjeje, ngacmimesh dhe me padi ligjore, shpesh për raportime që sfidojnë autoritetet politike ose normat shoqërore.
Në Serbi, Ljiljana Stojanovic, kryeredaktore e mediumit rajonal JUGpress, mori kërcënime të cilat u raportuan se lidhen me strukturat e sigurisë shtetërore, sipas Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë.
JUGpress ka duruar prej kohësh kërcënime, fushata shpifjesh, padi SLAPP dhe presion institucional. Televizioni N1, gjithashtu në Serbi, u bombardua me kërcënime të dhunshme në internet, shumë prej të cilave grafike dhe që bënin thirrje të qarta për vrasje, linçime dhe zjarrvënie.
Ndërsa në Mal të Zi, gazetarja Vesna Rajkovic Nenadic u përball me një padi nga gruaja e kryetarit të bashkisë së Podgoricës, pasi postoi një vërejtje kritike në lidhje me këpucët e saj luksoze në mediat sociale. Rasti mori mbështetje nga shoqëria civile dhe organizatat mediatike, por procedurat janë ende në pritje.
Presion i gjerë digjital
Përtej medias, monitorimi i BIRN në dhjetë vende zbuloi se sulmet me motive politike ishin të drejtuara edhe ndaj aktorëve të shoqërisë civile, duke i ekspozuar ata ndaj presionit të vazhdueshëm dhe të koordinuar.
Punonjës të sektorit publik janë pushuar nga puna, akademikët janë marrë në pyetje, gjyqtarët janë kërcënuar dhe aktivistët janë përballur me deklarata shpifëse për aktivitete online të konsideruara të papërshtatshme nga autoritetet.
Në Serbi, incidente të shumta treguan se si pjesëmarrja qytetare apo mospajtimi vijnë gjithnjë e më shumë me një kosto profesionale ose personale. Punonjësit e disa kompanive publike thuhet se u pushuan nga puna për shkak se treguan mbështetje online për protestat studentore në mediat sociale. Profesoresha Biljana Stojkoviç u thirr nga policia për një postim në mediat sociale që bënte thirrje për greva të përgjithshme dhe ngritjen e barrikadave.
Ngacmimet online janë intensifikuar gjithashtu. Jelena Banjac, një këshilltare e asamblesë lokale, u sulmua verbalisht pasi përkujtoi gjenocidin e Srebrenicës, ndërsa gjyqtarja Ksenija Maric mori kërcënime me vdekje pasi liroi nga akuzat studentët protestues.
Sulmet u nxitën nga tabloidët pro-qeveritarë që e portretizuan atë si një kërcënim për rendin kushtetues. Përveç kësaj, organizata për të drejtat LGBTQ+ “Da se zna!” raportoi mbi 1,000 kërcënime përpara “Paradës së Krenarisë” në Serbinë jugore, duke reflektuar armiqësi të përhapur dixhitale.
Hungaria pasqyroi narrativa të ngjashme kundër Paradës, të drejtuara nga figura të larta politike, me sa duket duke synuar të nxisnin armiqësinë publike ndaj komuniteteve LGBTQ+, duke i paraqitur ato si një kërcënim për shoqërinë. Drejtori politik i kryeministrit Viktor Orban, Balazs Orban, postoi imazhe të rreme që i atribuoheshin gabimisht Paradës së Krenarisë së Budapestit 2025 në një përpjekje për ta diskredituar atë. Një video homofobike e gjeneruar nga inteligjenca artificiale qarkulloi brenda një grupi në Facebook të partisë në pushtet, Fidesz, e cila shfaq fëmijë të mbuluar nga një llum i zi pasi panë pamjet e Paradës, një postim që raportohet se u nda nga vetë Orban.
Në Shqipëri, aktivisti politik, Kristjan Zoto i partisë së majtë “Lëvizja Bashkë” raportoi ndalimin e llogarive të tij në Instagram dhe TikTok. Zoto beson se përpjekjet e përsëritura për ta heshtur atë rrjedhin nga fushatat e koordinuara të raportimit të lidhura me kritikat e tij të zëshme ndaj oligarkëve dhe politikave qeveritare.
Maqedonia e Veriut gjithashtu pa retorikën politike të përdorur si armë kundër aktorëve civilë. Petar Bogojeski, një instruktor i akademisë ushtarake dhe i dyshuar si bashkëpunëtor i qeverisë, postoi një deklaratë shpifëse në mediat sociale duke akuzuar anëtarët e partisë së majtë “Levica” për “vrasje fëmijësh” dhe duke i quajtur të majtët si “psikopatë”. Levica njoftoi se do të ndërmerrte veprime ligjore, duke e dënuar postimin si nxitje të rrezikshme dhe duke thënë se një gjuhë e tillë nxit përçarje dhe rrezikon anëtarët e partisë.
Në Turqi, represioni dixhital vazhdoi me arrestimin e influencuesit Bekir Aslan (i njohur në internet si “Basel”) për fyerje të dyshuar ndaj presidentit Erdogan përmes postimeve të paspecifikuara në mediat sociale. Aslan kishte kritikuar më parë arrestimin e kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe udhëheqësit të opozitës, Ekrem Imamoglu. Rasti i tij i shtohet modelit të gjatë të Turqisë për ndjekjen penale të individëve sipas dispozitave të paqarta penale që lidhen me rendin publik dhe respektin për autoritetin.
Shqetësime të ngjashme po shfaqen tani edhe në vende të tjera të rajonit, si me ndryshimet e propozuara së fundmi në Kodin Penal të Shqipërisë, duke futur dispozita të paqarta mbi fyerjen dhe shpifjen, të cilat kanë ngritur alarm mes organizatave të lirisë së medias dhe grupeve të shoqërisë civile.
Ndërkohë, në Mal të Zi, regjisori dhe analisti Danilo Marunovic u bë shënjestër e një fushate shpifëse të udhëhequr nga mediat pro-serbe, Borba dhe IN4S, pas kritikave të tij të hapura ndaj nacionalizmit serb. Pasi u ndalua dhe u dëbua nga Serbia, tabloidët e akuzuan atë në mënyrë të rreme për përdorim droge dhe për përpjekje për të rrëzuar [Presidentin serb Aleksandar] Vuçiç” përmes pjesmarrjes në protestat studentore.
Rastet e regjistruara nga monitoruesit e të drejtave dixhitale të BIRN në të gjithë Evropën Juglindore ilustrojnë se si aktorët civilë në rajon penalizohen gjithnjë e më shumë, jo domosdoshmërisht përmes ndalimeve të drejtpërdrejta të protestave ose fjalimeve, por përmes pasojave profesionale, ligjore dhe të reputacionit.
Strategjitë shpesh mbështeten në mjete hibride, duke përfshirë institucionet shtetërore (policia, gjykatat, punëdhënësit), mediat e lidhura me partitë në pushtet dhe ngacmimet e koordinuara në mediat sociale, duke krijuar një mjedis ku pjesëmarrja qytetare dhe politike mbart rrezik personal në rritje, zbulojnë monitorimet e BIRN.
Platformat ndërkombëtare

Turqia e zgjeroi censurën në platformat dixhitale ndërkombëtare, duke synuar jo vetëm individët vendas dhe mediat, por edhe duke bllokuar shërbimet që ata përdorin.
Një gjykatë turke urdhëroi bllokimin e Grok, një chatbot me inteligjencë artificiale, i integruar në X (më parë Twitter), pasi ai gjeneroi përmbajtje që dyshohet se fyente presidentin Erdogan, Ataturkun dhe vlerat fetare. Megjithëse Grok mbetet teknikisht i arritshëm, urdhri i gjykatës qëndron në fuqi dhe X pranoi se gjuha e chatbot ishte “e papërshtatshme”. Kjo shënon veprimin e parë ligjor të Turqisë kundër përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Autoritetet turke bllokuan gjithashtu Archive.today, një mjet arkivimi në internet i përdorur gjerësisht që ruan pamje të përmbajtjes online; shpesh përdoret për të dokumentuar materiale në rrezik censure ose që tashmë janë censuruar. Shoqata e Lirisë së Fjalës konfirmoi bllokimin, megjithëse nuk u dha asnjë shpjegim zyrtar. Ky veprim dëmton aksesin në lajmet e arkivuara dhe mjetet e transparencës.
Nën presidentin Erdogan, Turqia më parë ka bllokuar platforma të ndryshme të mediave sociale, duke përfshirë Instagram, YouTube, TikTok dhe X kur njihej si Twitter.
Monitorimi: Rumania u mbulua nga Adina Florea, Serbia nga Tijana Uzelac, Turqia nga Hamdi Firat Buyuk, Shqipëria nga Nensi Bogdani, Mali i Zi nga Djurdja Radulovic, Kosova nga Flaka Isufi, Maqedonia e Veriut nga Bojan Stojkovski and Goce Trpkovski, Hungarian ga Akos Keller-Alant, Bosnje dhe Hercegovina nga Selma Melez, Kroacia nga Sandra Junicic.