Tue, Aug 26, 2025

Një Inter me “5 yje”, “çmonton” Torinon në “San Siro”, Chivu: Kemi lënë pas të kaluarën, ishim të shkëlqyer (VIDEO)

  • PublishedAugust 26, 2025

Një Inter me “5 yje”, “çmonton” Torinon në “San Siro”, Chivu: Kemi lënë pas të kaluarën, ishim të shkëlqyer (VIDEO)

Një Inter me “5 yje”, një debutim perfekt për Chivu në Serie A, një sukses 5-0 ndaj Torinos që “ndez” ambientin zikaltër, me të drejtë tifozët ëndërrojnë për një tjetër sezon si protagonistë në Itali. Me vetëm një ndryshim në formacion, pa Calhanoglu në mesfushë, me Susic në vend të Asllanit, Inter ishte brilant ndaj Torinos, ndërsa dyshja kuqezi, Asllani-Ismajli ndoqën nga tribuna dorëzimin pa kushte të “demave”.

Në “San Siro”, Inter e nisi sfidën me marshin e pestë, ku pas vetëm 18 minutash, Bastoni me kokë gjatë zhvillimeve të një goditje këndi kaloi zikaltërit në avantazh. Në të 36-tën, Thuram përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe me një goditje të saktë dyfishoi shifrat.

Torino bëri pak ose aspak për t’u rikthyer në lojë, jo vetëm kaq, por në minutën e 52-të i bënë një dhuratë Martinez, me “bomberin” argjentinas që trefishoi shifrat. Inter nuk e uli ritmin e lojës për asnjë moment dhe pak minuta më vonë, Thuram realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin zikaltër. Për të kompletuar mbrëmjen perfekte mendoi Bonny me sulmuesin francez që sigloi shifrat përfundimtare në 5-0.

Me këtë sukses të pastër, Inter i lëshon një mesazh të qartë të gjithë rivalëve në garën për titull. Triumfi i Inter ndaj Torinos mori faqet e para të mediat italiane: “Valë e Inter, spektakël i Chivu në debutim”, ishin disa nga titujt kryesorë:

  • foto galeri
  • foto galeri

“Kemi punuar për t’u paraqitur në kushtet më të mira. Djemtë u përgjigjën në mënyrë të shkëlqyer duke lënë pas të kaluarën dhe pjesën negative të sezonit të shkuar. Ishte një provë pjekurie, intensiteti dhe agresiviteti. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur për djemtë”, u shpreh Chivu pas fitores 5-0 ndaj Torinos.

()


AlbaniaWeb.net