Fundi i ngërçit, Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës zgjodhi të martën Dimal Bashën si kryetar të tij, duke zhbllokuar ngërçin që vazhdonte prej gjashtë muajsh që pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit.
Dimal Basha, 45 vjeç, është jurist në profesion dhe deputet i Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.
Basha i siguroi votat e nevojshme jo vetëm nga Vetëvendosje, por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, në opozitë.
“Sot votuam për të zhbllokuar situatën politike në vend,” deklaroi Memli Krasniqi, kryetar i PDK.
“A jemi të lumtur? Nuk besoj që janë as deputetët e Vetëvendosjes. Ia patë fytyrat. Por të paktën tani kemi një kryetar të Kuvendit,” shtoi Krasniqi.
Në fjalën e tij të parë si kryetar i Kuvendit, Basha bëri thirrje për bashkim dhe unitet.
“Si kryetar i Kuvendit, pres të kemi dallime, por pres që të bëhemi bashkë aty ku e kërkon interesi kombëtar. Pres debat, dua të shoh kritika por edhe alternativa,” deklaroi ai.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë shteteve mike të Kosovës. Ju jemi mirënjohës për kontributin tuaj edhe atëherë, edhe tash,” shtoi Basha.
Zhbllokimi i krizës politike në Kosovë u përshëndet nga ambasadat e huaja dhe përfaqësues të shtetit shqiptar.
Ambasada gjermane në Prishtinë uroi zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe deklaroi se shpreson në ngritjen e institucioneve të reja.
“Shpresojmë që Kosova tani të jetë në gjendje të ecë përpara në formimin e institucioneve,” thuhet në postimin e ambasadës.
Zhbllokimi i ngërçit u përshëndet edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Bajram Begaj.