Emisioni investigativ “Vetting” rikthehet në News24
NGA ARDIAN BUSHI*
Më 28 gusht 2025, emisioni investigativ “Vetting” rikthehet në transmetim në News24.
Një rikthim i pazakontë, në një situatë të pashembullt për News24. Policia e Shtetit dhe Policia Ushtarake, të vëna në shërbim të ish-drejtorit të Policisë, Ardi Veliu sot drejtor i kompanisë private KAYO dëbuan gazetarët e News24 nga godina ku kishin punuar prej 25 vitesh, duke tentuar për t’ua mbyllur me forcë zërin, por që dështuan.
Pas sulmit të 9 gushtit, kur pushteti vendosi të heshtë një media kombëtare, gazetarët e “Vetting” janë kthyer në punë edhe më të vendosur, për të denoncuar me fakte dhe prova, për të treguar të vërtetën, për të mos u trembur nga askush.
As nga uniformat, as nga zyrtarët, as nga drejtuesit e institucioneve, e as nga vetë shteti.
Sezoni i ri i “Vetting” do të duhej të niste në shtator. Por ne vendosëm ta nisnim tani, më shpejt, nga një kafene e thjeshtë sepse policia na nxori me forcë nga zyra jonë. Por kjo nuk e ndal dot sinjalin e News24. Ai shkon në çdo shtëpi, në çdo lokal, në çdo telefon të shqiptarëve.
Këtë sezon, ne do të sjellim dosje të reja dhe të nxehta mbi korrupsionin në pushtetin vendor dhe qendror, në shëndetësi dhe drejtësi. Dosje që institucionet i fshehin në sirtare, por që ne do t’i nxjerrim në dritë.
Kompromisi ynë është një: E vërteta nuk fshihet. E vërteta nuk mbyllet.
Në puntatat e para, ne do të tregojmë atë që ndodhi me News24 dhe Fokus Media Group dhe më pas, një nga një, do të hapim dosjet e korrupsionit që prekin çdo qelizë të shtetit.
Ne e dimë çfarë rrezikojmë. Por e kemi marrë përsipër, të zgjojmë natën ata që guxojnë të shkelin ligjin, të vjedhin qytetarët dhe të mbyllin gojën e gazetarëve.
Këtë betejë nuk do ta ndalojmë. Premtimin që u kemi dhënë shqiptarëve do ta mbajmë.
Do të jemi aty, me zë të fortë, me prova dhe fakte. Sepse kjo është detyra jonë. Dhe këtë zë nuk e hesht dot askush.
*Autori i emisionit “ Vetting”