Largimi nga Interi, Asllani me mesazh prekës për tifozët zikaltër: Ëndërr të mbaja këtë fanellë, jeni gjithmonë në zemrën time
Kristjan Asllani i thotë lamtumirë Interit pas tre vitesh. Mesfushori shqiptar u largua nga zikaltrit për t’u bashkuar me Torinon.
Përmes një mesazhi në formën e një letre, Asllani ka prekur tifozët zikaltër, të cilëve u thotë se do të jenë gjithnjë në zemrën e tij.
“Të dashur tifozë zikaltër, ka ardhur koha të themi lamtumirë dhe më besoni, nuk është e lehtë të gjesh fjalët e duhura. Të veshësh fanellën e Interit ka qenë një ëndërr e imja që kur isha fëmijë, kur brohorisja për këto ngjyra me sy plot admirim. Sa herë që hyja në fushën e San Siros, ndjeja krenarinë dhe përgjegjësinë e përfaqësimit të një ekipi që do të jetë gjithmonë pjesë e imja.
Falënderoj Interin që më dha mundësinë ta bëj këtë ëndërr realitet. Një falënderim i veçantë për shokët e mi të ekipit, të cilët nuk ishin thjesht një ekip, por një familje e vërtetë, dhe për të gjithë stafin që më mbështeti në këtë udhëtim. Gjithmonë jam përpjekur ta nderoj këtë fanellë me përkushtim, sakrificë dhe respekt. Atyre që më mbështetën, u shpreh mirënjohjen time më të thellë. Po largohem nga Milano, por Interi do të mbetet gjithmonë në zemrën time: sepse kur i do këto ngjyra si fëmijë, nuk ndalesh kurrë së mbajturi me vete. Me dashuri, Kristjan!” – shkruan Asllani.