Selvija pas ndarjes: ‘Jam arkitektja e jetës sime, zemrën time nuk e prek më askush’
Koha pas ndarjes duket se ka shërbyer si periudhë reflektimi dhe rilindjeje për Selvijen, ish-partneren e Shpat Kasapit. Në foton e saj të fundit të ditëlindjes, ajo publikoi një postim të gjatë në Instagram, i cili tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave dhe u interpretua si një mesazh i koduar për ish-partnerin, këngëtarin Shpat Kasapi.
“Kjo ditëlindje më gjeti në një qetësi dhe paqe absolute, të nevojshme prej shumë kohësh për mua. E festova me njerëz që më duan sinqerisht dhe e dinë sa vlejë. Është shumë bukur të rrethohesh me njerëz që të duan thjesht për atë që je!”, shkruan ajo. Selvija thekson se tani është “arkitektja e jetës sime” dhe nuk pranon më “manipulime, gënjeshtra e tradhti”.
Në postim, ajo ndalet edhe tek roli i saj si nënë, duke theksuar se prioritet i saj mbetet djali i saj, Roeli: “Roeli do të rritet në një shtëpi të qetë, të ngrohtë dhe me dashuri. Një familje e lumtur mund të jetë edhe vetëm mami me djalin e saj!”
Selvija shpjegon se kjo ditëlindje shënon një kapitull të ri në jetën e saj, ku shumë pak njerëz do të kenë akses. Ajo shfaqet më e fortë dhe e vendosur se kurrë, duke falënderuar për çdo gjë të vogël në jetë dhe duke theksuar vendosmërinë për të mos humbur veten dhe për të mbrojtur zemrën e saj.