Wed, Aug 27, 2025

Pse opozita nuk mund t’i njohë zgjedhjet e 11 majit

  • PublishedAugust 27, 2025

Pse opozita nuk mund t’i njohë zgjedhjet e 11 majit

LISANDËR HOXHA

Partia Demokratike, për muaj me radhë, paraqiti prova të deformimit të procesit zgjedhor nga qeveria. Në çdo zonë zgjedhore u përdor administrata publike në mënyrë brutale, pati ndërhyrje para dhe gjatë ditës së votimit me zyra ilegale dhe shantazhe mbi votuesit. U shkel kontrata e votës së diasporës dhe u morën vendime qeveritare në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, për shpërblime dhe falje gjobash.

Grupet kriminale u angazhuan si pararojë, duke ndikuar në deformimin e rezultatit në çdo qark. Përballë këtij realiteti, opozita i denoncoi zgjedhjet dhe shpalli mosnjohjen e tyre. Ky qëndrim e vendos PD-në para një përgjegjësie të madhe publike: nuk mund të mos njohësh zgjedhjet dhe të pranosh njëkohësisht parlamentin që del prej tyre. Pranimi i parlamentit do të thotë njohje e mazhorancës me 83 mandate dhe legjitimim i një qeverisjeje antidemokratike. Mosnjohja është e vetmja rrugë që mban koherencë me deklarimet e deritanishme të opozitës. Në vitin 2019, opozita dogji mandatet, por veprimi u zbeh nga mercenarët që i morën ato dhe krijuan një opozitë false. Kjo e dobësoi impaktin politik të asaj lëvizjeje. Sot ndodhemi përballë të njëjtave kushte, por me një përgjegjësi edhe më të madhe. Çdo hap i gabuar do të zhgënjejë qytet arët dhe do ta zhysë PD-në në perceptimin e një force të dorëzuar. Dilema është e qartë: nëse opozita hyn në Parlament, humb moralisht dhe politikisht.

Nëse qëndron jashtë, ekziston rreziku i përsëritjes së 2019-s. Por ky rrezik është më i pranueshëm sesa legjitimimi i një procesi farsë. Unë personalisht jam për mosnjohje dhe për protesta deri në arritjen e një qeverie teknike. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbahet peng i një autokrati që ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve, kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve. Ky sistem nuk ofron as demokraci, as garë, as shpresë. Në këtë betejë opozita duhet të zgjedhë moralin përpara kompromisit, integritetin përpara dorëzimit. Demokracia rikthehet vetëm me përballje, jo me pjesëmarrje në një teatër të shëmtuar autokratik. Kjo është rruga e vetme për të fituar besimin e shqiptarëve dhe për t’i dhënë fund një Shqipërie që po rrëshqet drejt një mini-Bjellorusi.

/Gazeta Panorama