Champions/ Surpriza në fazën “Play-off”, kualifikim historik për K.Almaty dhe Pafos
Mbrëmja e parë e sfidave të kthimit të fazës Play off në Champions League rezervuan surpriza të mëdha. Kairat Almaty eliminoi gjigandin skocez të Celtic, modestët qipriotë të Pafos eliminuan Crvena Zvezdës, ndërsa Bogo Glimt e kishte një formalitet kalimin për në fazën e ligës, pas fitores së thellë 5-0 në ndeshjen e parë.
Lajmi bujshëm ishte padyshim eleminimi i kampionëve skocezë të Celtic Glasgow. 90 minutat e ndeshjes së dytë po ashtu edhe shtesa prej 30 minutash nuk prodhuan asnjë gol. Në këtë mënyrë fatin e skuadrës që do të kalonte më tej do ta ndante ruleta e penalltive. Skocezët u treguan jo të qetë teksa gabuan 3 nga 5 penalltitë me Idah, McCowan dhe Maeda, duke bërë që kazakët të siguronin një kualifikim historik në fazën e ligës.
Kualifikim historik arrin edhe skuadra qipriotë e Pafos, e cila eliminoi kampionët serbë të Crvena Zvezdës. Qipriotët vinin me avantazhin 2-1 të ndeshjes së parë në Beograd. Megjithatë serbët barazuan rezultatin e përgjithshëm pas 1 ore lojë me anë të kapitenit Ivaniç. Por atëherë kur u mendua se çdo gjë do të shkonte drejt shtesës pas një goditje dënimi sulmuesi brazilian Jaja shpik një super gol teksa fluturimthi e dërgon topin në trekëndësh duke kualifikuar Pafos për herë të parë mes më të mirave të kontinentit.
Sturmi Grazi fitoi 2-1 ndaj Bodo Glimt në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Graz, por një fitore që nuk vlen për vendasit, pasi norvegjezët e kishin hipotekuar kualifikimin që në ndeshjen e parë, pas suksesit të thellë 5-0.