Dy ditë pas episodit të ribashkimit të “Love Island USA”, Amaya Espinal shpall ndarjen nga Bryan Arenales
Fituesja e sezonit 7 të Love Island USA, Amaya Espinal, ka konfirmuar ndarjen nga partneri i saj Bryan Arenales, vetëm dy ditë pas transmetimit të episodit të ribashkimit të spektaklit.
Çifti, i cili u largua nga vila në korrik si një ndër të preferuarit e publikut, ngriti dyshime pasi hoqen “follow” në Instagram dhe Amaya publikoi postime enigmatike në rrjete sociale.
Të mërkurën, më 27 gusht, Amaya iu drejtua ndjekësve përmes një InstaStory ku shkruante:
“Papayat e mia. Bryan dhe unë nuk jemi më bashkë. Pas daljes nga vila, u bë shumë e qartë që ne ishim në dy rrugë të ndryshme. Vizionet tona nuk u përputhën dhe marrëdhëniet duhet të jenë një lojë ekipore. Nuk është e nevojshme të pish të gjithë detin që të kuptosh se është i kripur.”
Ajo e mbylli mesazhin duke i uruar Bryan-it më të mirat.
Njoftimi vjen pas javësh të tëra spekulimesh se Bryan e kishte tradhtuar. Një video e tij në një bar me vajza të tjera u bë publike, duke nxitur thashethemet për tradhti. Gjatë episodit special të ribashkimit, Bryan i mohoi akuzat, duke thënë se videoja ishte nxjerrë nga konteksti dhe se ai thjesht po organizonte një event. Ai pranoi një “gabim në gjykim”, por theksoi se nuk ishin kaluar kufijtë.
Amaya, gjatë ribashkimit, qeshi me akuzat duke deklaruar se nuk do të qëndronte në një marrëdhënie ku ndihej e nënvlerësuar. Nga ana tjetër, Bryan kishte mohuar më herët thashethemet e ndarjes në rrjetet sociale, duke i quajtur ato “gënjeshtra” dhe duke insistuar se ata ishin ende bashkë.
Tashmë, me deklaratën e Amayas, është e konfirmuar se fituesit e Love Island USA kanë ndarë përfundimisht rrugët.