Italia me “5 yje”, Gattuso shkëlqen në debutim: Është vetëm hapi i parë
Një Itali me “5 yje”, një debutim perfekt për Gattuso-n në stolin e përfaqësueses “azzurre”. Ndaj Estonisë, Rino e nisi me skemën 4-4-2, me dyshen Retegui-Kean në sulm. Pas një pjesë të parë, me shumë raste për shënim, më në fund ishte Kean që zhbllokoi rezultatin në minutën e 58-të.
Gattuso hodhi në fushë edhe Raspadorin, me sulmuesin e Atletico Madrid që u kthye menjëherë në protagonist ku në minutën e 69-të dhuroi një assist për Reteguin, me këtë të fundit që me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Dy minuta më pas, Raspadori mori një top të bukur në qendër dhe me kokë trefishoi shifrat.
Të shtyrë dhe nga tifozët, Italia nuk e uli ritmin për asnjë moment, me Reteguin që në minutën e 89-të me një goditje me kokë realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për “azzurrët”. Në shtesë kishte kohë edhe për një tjetër gol, këtë herë ishte Bastoni që sërish brenda në zonë me kokë kompletoi “matinën” e golave.
Kjo ishte fitorja e dytë për Italinë në Grupin I, 6 pikë dhe vendi i tretë. Genaro Gattuso, trajneri i Italisë, shijon në maksimum këtë fitore në debutim, por nuk dëshiron të ndalet këtu, ky ishte thjesht hapi i parë:
“Më duhet të falënderoj djemtë për paraqitjen e bërë. Në pjesën e parë na mungoi vetëm goli, mendoj se kemi bërë një punë të mirë. E para iku, tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës që është e vështirë. Ne kemi një objektiv, të rikthejmë popullin tonë të jetë i lumtur, shpresoj t’ia arrijmë”, u shpreh Gattuso. Suksesi i Gattuso-s në debutim “pushtoi” faqet e para të mediave italiane:
“Trajneri i ri nis fort, shkatërron Estonë”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Goleadë. Manita e Gattusos, të hënën Izraeli”, ishte kryesor i Corriere dello Sport.
()