Sat, Sep 6, 2025

Nga garant i ligjit, në shkelës i tij: rasti “News24”

  • PublishedSeptember 6, 2025

Nga garant i ligjit, në shkelës i tij: rasti “News24”

NGA ARDIAN BUSHI 

Një shprehje popullore nga veriu thotë: “T’u humbtë vula” ose “T’u shoftë emri”. Dikur këto fjalë shërbenin si mallkime, por sot ato ngjajnë si përkufizim i realitetit shqiptar, ku shkelja e ligjit, korrupsioni dhe përdorimi i forcës në vend të drejtësisë janë bërë norma e përditshme. Kjo shprehje merr kuptim të veçantë sidomos kur flasim për ata që thyejnë ligjin për interesa personale: grabisin prona, përdorin dokumente të falsifikuara, vendosin forcën mbi ligjin dhe mbi të gjitha, synojnë të mbeten të pandëshkuar. Një shembull i qartë është ngjarja e ndodhur më 9 gusht 2025, kur Policia e Shtetit ndërhyri në godinën e televizionit “News24”.

Ky veprim u krye pa vendim gjykate, pa dokumentacion ligjor dhe pa asnjë procedurë të rregullt. Në thelb u trajtua si një bastisje: gazetarët u nxorën jashtë nga vendi i punës, ndërsa godina iu dorëzua një firme private, KAYO, e drejtuar nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ironia është se godina ishte marrë më herët nga “Fokus Media Group” në mënyrë të ligjshme, me akt noterial dhe inventar të plotë të ambienteve. Ndërhyrja e policisë, përkundrazi, u bë pa asnjë dokument, madje edhe fiktiv, për të justifikuar veprimin. Më pas, situata mori përmasa edhe më shqetësuese: një kamion me targa të falsifikuara u fut në oborrin e televizionit, ndërsa policia e rendit krijoi një kordon për të penguar gazetarët që të afroheshin. Ky kamion u mbush me tavolina, karrige, dosje hetimore dhe sende personale të gazetarëve, të cilat u transferuan në Durrës, sikur të ishin mall pa zot.

Ajo që e bën më të rëndë këtë episod është fakti se punonjësit e Policisë Ushtarake hoqën shenjat identifikuese nga uniformat e tyre. Kur përfaqësuesit e shtetit fshihen pas anonimatit, kjo nuk është më thjesht shkelje ligji, por humbje e vetë autoritetit institucional. Në vend që të jenë garantë të ligjit, ata vepruan si shkelës të tij, duke u sjellë si “kauboj” që imponojnë forcën mbi çdo normë juridike. Dëshmitë nga vendngjarja tregojnë edhe detaje tronditëse: njëri prej përmbaruesve ka rrëfyer se gjatë bastisjes, një punonjës i Policisë Ushtarake filloi të konsumonte ushqimet e lëna mbi tryezën e gazetarëve, sikur godina të ishte një objekt i braktisur, pa pronar e pa zot. Ky gjest, i vogël në pamje të parë, është në fakt një metaforë e fuqishme e degradimit të institucioneve që jo vetëm nuk respektojnë ligjin, por as kulturën më minimale të respektit. Në një këndvështrim më të gjerë, përfshirja e Policisë Ushtarake, një strukturë e lidhur me standardet e NATO-s, për të marrë nën kontroll një media civile është një paradoks i rrezikshëm.

Kjo ngre pyetje serioze mbi përdorimin e forcave shtetërore për qëllime private apo politike dhe mbi fatin e lirisë së medias në Shqipëri. Në përfundim, rasti i “News24” nuk është thjesht një konflikt pronësor apo një mosmarrëveshje e zakonshme ligjore. Ai është tregues i krizës së thellë të shtetit ligjor dhe i abuzimit të pushtetit nga vetë institucionet që duhet të ishin garant të tij. Kur gazetarët, ata që pasqyrojnë realitetin dhe japin zë qytetarëve, përzihen me dhunë nga vendi i tyre i punës nga ata që duhet t’i mbronin, atëherë kemi të bëjmë me një dështim të madh demokratik. Në këtë kuptim, shprehja popullore “T’u humbtë vula” bëhet jo vetëm një thirrje e hidhur, por edhe një realitet që pasqyron degradimin e shtetit dhe shoqërisë sonë.

* Autor i emisionit “ Vetting”

/Gazeta Panorama