Wed, Sep 10, 2025

Partizani në Shkodër, fitorja si objektiv i madh

  • PublishedSeptember 10, 2025

Partizani në Shkodër, fitorja si objektiv i madh

Vllaznia-Partizani është supersfida e javës së tretë në Superiore. Ky takim është programuar për t’u luajtur të shtunën(13 shtator), prej orës 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Fortesa shkodrane ka kohë që nuk “pushtohet” nga Partizani, ndërsa vendësit synojnë të kthehen te fitoret pas humbjes me Dinamon. Dhe pse stadiumi mban emrin e një legjende të Partizanit si Loro Boriçi, sërish fati nuk ka qenë në anën e tyre.

GJASHTË NDESHJE Hera e fundit kur Partizani fitonte në Shkodër ishte më 7 tetor 2022. Prej atëherë janë thuajse tre vite, që “demat” nuk provojnë shijen e fitores. Sfida asokohe ishte e vlefshme për javën e 7-të të Superiores, pikërisht të sezonit që Partizani fitoi titullin e fundit kampion. Të kuqtë triumfuan me rezultatin 1-2. Fillimisht ishte Ardit Hoxhaj që shënonte për kuqeblutë në pjesën e parë, ndërsa përmbysja e madhe erdhi në pjesën e dytë. Da Silva dhe më pas Skuka tundën rrjetën, për të nxjerrë me 3 pikë Partizanin nga stadiumi “Loro Boriçi”. Të dy bashkë u rikthyen këtë verë te Partizani dhe pritet të japin kontributin e tyre në Shkodër. Prej atëherë eksperienca nuk ka qenë më e mira e mundshme në stadiumin e Vllaznisë. Janë luajtur gjashtë ndeshje ku një i përket Kupës. Dhe pikërisht sfida për Kupë u humb 3 me 1 nga të kuqtë në sezonin 2022/ 23. Më pas për llogari të kampionatit u mbyllën me barazim katër sfida radhazi. E fundit mes dy skuadrave në Shkodër ishte më 5 mars në kuadër të kampionatit. Dhe Vllaznia si rrallë herë kundër Partizanit në shtëpi, ndërsa ndeshja vlente për Superioren, fitoi pastër dhe pa problem 2 me 0.

FITORJA E VETME- “Loro Boriçi” dukshëm është stadiumi që Partizanit nuk i sjell fat. Nga marsi i vitit 2020, të kuqtë numërojnë vetëm një fitore aty. Dhe duke qenë 13 ndeshje të luajtura në pesë vite është një tregues i qartë, për vështirësitë që Partizani has në Shkodër. Triumfi 1 me 2 është shumë pak për “demat”, që ndaj asnjë rivali nuk kanë provuar këtë shkallë vështirësie gjatë kësaj kohe, kur bëhet fjalë për transfertë.

PRETENDENTË- Vllaznia është kthyer në pretendente për trofe prej sezonit 2020/21. Dhe rivalitet mes dy skuadrave nuk ka qenë i vogël. Madje mund të thuhet se kuqeblutë janë një kockë e fortë për kryeqytetasit, të paktën prej atëherë. Në total janë luajtur 24 ndeshje për të gjitha kompeticionet. Skuadra e Vllaznia ka fituar 8 sfida, 5 fitore i përkasin Partizanit dhe 11 ndeshje të tjera janë mbyllur me barazim. 26 gola janë të shënuar nga kuqeblutë dhe 24 nga kryeqytetasit. Gjatë kësaj kohe, Vllaznia i ka ndërprerë dy herë rrugëtimin Partizanit në Kupën e Shqipërisë. Ky kompeticion është fituar edhe dy herë nga kuqeblutë. Në anën tjetër Partizani ka ditur të fitojë një trofe të titullit kampion dhe një të Superkupës.

MOTIVIMI- Duke marrë parasysh që fitorja e fundit shtronte rrugën drejt titullit kampion, pas një derbi me Tiranën të humbur në fazën e parë, Partizani mund ta shikojë transfertën e së shtunës si “finalen” e parë të këtij sezoni. Një test i vërtetë për skuadrën e Mladen Milinkoviç, ndaj një prej pretendentëve kryesorë për fitimin e titullit. Motivimi është maksimal për një takim që është supersfida e javës. Mungesat nuk mungojnë, por sërish alternativat mbeten të shumta. Fitorja do të ishte pikërisht çfarë skuadra e Partizanit ka nevojë, që të besojë se këtë vit është rival i denjë për fitimin e trofeve. Dhe në “Loro Boriçi” pakkush ia del.


AlbaniaWeb.net