Bota e F1 i përulet Vershtapenit, legjendat: Më i miri, është fenomen
Maks Vershtapen vazhdoi të thyejë rekorde me një tjetër fitore mbresëlënëse në Çmimin e Madh të Italisë. Të shtunën, në provat zyrtare, siguroi “pole position” me xhiron më të shpejtë në historinë e Formulës 1. Ndërsa të dielën, holandezi kaloi i pari vijën e finishit me një avantazh prej 18 sekondash ndaj Lando Norrisit (i dyti), duke fituar garën më të shpejtë ndonjëherë në historinë e këtij sporti.
“Nuk e prisnim”, u shpreh i habitur Laurent Mekies, drejtori i ekipit, pas fitores së parë nën drejtimin e Red Bullit. “Të gjithë të dhënat tona tregonin se makinat MekLaren zakonisht kanë avantazh më të madh në garë sesa në kualifikime. Prandaj prisnim një garë më mbrojtëse dhe u përpoqëm të përgatiteshim për skenarë të ndryshëm për t’u mbrojtur ndaj tyre”, shtoi ai.
Vershtapen humbi pozicionin e parë në nisje përballë Norrisit, për shkak se shkoi shkurt në kthesën e pare dhe iu desh t’i lëshonte pozicionin britanikut për të shmangur një penalizim. Megjithatë, ai rikuperoi vendin e parë që në fillim të xhiros së katërt. “Do të thosha se ritmi ynë në garë ishte edhe më i mirë nga sa prisnim. Balanca e makinës ishte thjesht perfekte”, deklaroi Mekies.
“MAD MAX” MAHNIT ISH-KAMPIONËT – Fitorja e 66-të në karrierë la të habitur edhe kampionët të mëdhenj të së kaluarës në F1. Njëri prej tyre ishte Damon Hill, kampion bote në vitin 1996, i cili në rrjetin social “X” lavdëroi pilotin holandez të Red Bullit. “E di që e kam kritikuar ndonjëherë për manovrat dhe taktikat e tij, por nuk mund ta mohojmë faktin që Maks Vershtapen është piloti më i mirë i kësaj epoke. Një talent i jashtëzakonshëm, një fenomen”.
As Niko Rosberg, kampion bote me Mercedesin në vitin 2016, nuk i kurseu elozhet, duke ia atribuuar suksesin kryesisht aftësive të Vershtapenit. “Nuk kishte makinën më të mirë në kualifikuese, por realizoi një xhiro fenomenale. Vershtapen dëshmoi edhe një herë pse është ndër pesë pilotët më të mirë në historinë e Formulës 1”, tha gjermani, i cili më pas shtoi: “Është e pamundur të bëhet më mirë se kaq”.
ELOZHE EDHE NGA VOLF – Toto Volf, drejtuesi i ekipit Mercedes, kishte vetëm një këshillë për pjesën tjetër të garuesve: “Duhet me të vërtetë të pyesin veten çfarë po bën ndryshe”, deklaroi ai për “Servus TV”, duke iu referuar Verstapenit. “Sot, një pilot i ka lënë në hije të gjithë të tjerët”, u shpreh Volf.