Fri, Sep 12, 2025

Të punësuarit në shtet shënojnë një rekord tjetër historik për zgjedhje

  • PublishedSeptember 12, 2025
Të punësuarit në shtet shënojnë një rekord tjetër historik për zgjedhje

Në vitin e largët 2001, Shqipëria kishte një popullsi rezidente prej mbi 3 milionë banorësh dhe një sektor publik, të konsideruar gjerësisht në atë kohë si të fryrë dhe me nevojën për t’u tkurrur, prej 186 mijë vetësh.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 185,734, me një rritje vjetore prej 2400 vetësh, duke shënuar kështu nivelin më të lartë që nga viti 2002. Ndërsa nëse merret parasysh se numri i popullsisë banuese këtë vit ka rënë në 2.36 milionë, të punësuarit në shtet në raport me popullsinë ka gjasa është sot më i lartë nga sa ka qenë ndonjëherë që nga rënia e komunizmit.

Të 186 mijë të punësuarit në vitin 2002 përballë popullsisë prej saktësisht 3.069 milionë banorësh, përbënin 1 të punësuar në shtet për çdo 16 banorë, ndërsa në nivelin e sotëm kemi 1 të punësuar në shtet në çdo 12 banorë.

Shtimi i të punësuarve në sektorin publik ka ngritur shqetësime të mëdha për gjendjen e demokracisë në vend, për shkak se gjerësisht pranohet se këto punësime bëhen në shkëmbim të votave të të punësuarve dhe të familjarëve të tyre.

Vëzhguesit ndërkombëtarë bënë të ditur në raportin e vet paraprak për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri se punonjësit e sektorit publik u vunë në këto zgjedhje nën presion dhe se aludimet dhe raportimet për presione ndaj sektorit publik ishin “të gjithëpërhapura”.

Shtimi i të punësuarve në shtet duket se është reflektuar edhe në nivelin e shpenzimeve publike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, fatura e pagave të sektorit publik u rrit me 20% gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në një kohë kur të ardhurat buxhetore u rritën me vetëm 6.7%