Në Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë
NGA MIMOZA DAJÇI
Presidenti i Shoqatës Shqiptare Amerikane Staten Island, Naser Nika, në një prononcim të tij ka njoftuar të afërmit e familjes së Heroit Isa Boletini dhe gjithë komunitetin shqiptar se Bashkësia Amerikane në Nju York ka miratuar kërkesën e kësaj shoqate dhe disa organizatave të tjera me në krye Federatën Pan Shqiptare “Vatra” për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Isa Boletini. Sipas z. Nika, i cili njihet si aktivist dhe patriot i përkushtuar i çështjes shqiptare në SHBA, ndër të tjera thotë: “Të dashur bashkatdhetarë, me zemër plot krenari ju ftojmë të bëhemi pjesë e një ngjarje të paharruar inaugurimi i rrugës ‘Isa Boletini’, kushtuar heroit të madh të kombit tonë, i cili do të mbahet më 30 mëntor në këndin midis Father Capodanno Blvd dhe Seavieë Avenue, Staten Island, NY.
Isa Boletini, trim i Kosovës dhe simboli i sakrificës për lirinë, bëhet heroi i parë kombëtar nga Kosova që merr një rrugë me emrin e tij në Staten Island. Ky nderim bëhet edhe më i madh, sepse rruga e tij do të qëndrojë pranë asaj të Ismail Qemalit, udhëheqësit të pavarësisë, e cila u emërua dy vite më parë. Kështu, dy figurat më të ndritura të kombit do të takohen përgjithmonë në zemër të Nju Jorkut, si një dëshmi e pavdekshme e unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare”. Nipi i Isa Boletinit, Drejtor gjeneral Marketingu Armend Murati, që jeton e punon prej vitesh në Norvegji, duke falënderuar Shoqatën Shqiptare Amerikane në Staten Island dhe Presidentin e saj z. Naser Nika, ndër të tjera shkruan: “Çfarë të themi tjetër pos të shprehim respekt të thellë, për angazhimin e Shoqatës së Shqiptarëve në Amerikë, Staten Island dhe në veçanti për atdhetarin e shquar dhe udhëheqësin e shoqatës Naser Nika, për vendosmërinë për të arritur që projekti i emërtimit të rrugës në Staten Island të mbajë emrin e Isa Boletinit. E di se sa kohë, mund dhe financim ishin të nevojshme për të arritur këtë, gjë që zoti Naser Nika nuk kurseu asnjë moment, vetëm për të arritur qëllimin. Si trashëgimtarët e Isa Boletinit, të përgëzojmë për atdhedashuri dhe patriotizëm që keni treguar, ju paçim faqebardhë për gjithmonë. Na bëni të ndjejmë që frymëzimi që Isa Boletini ka lënë, është ende i gjallë dhe i fortë si kurrë më parë”.
Njëherësh për nipërit e mbesat e Heroit Isa Boletini ka lajme tepër interesante, dy mbesat e tij, Ariana Hoxha dhe Arijeta Turku, nën siglën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me drejtues të lartë Ramush Haradinaj, kandidojnë respektivisht për asambleiste, Ariana në Gjakovë, ndërsa Arijeta në Mitrovicë. Motoja e tyre për fitoren e tyre në këtë fushatë është “Dritë për Komunat”. Ndërsa një nga arsyet kryesore pse ato mbështesin programin dhe statutin e kësaj partie është se Lideri dhe Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë një mbështetës i flaktë i figurës legjendare Isa Boletini dhe familjes së tij. Çdo vit në çdo përvjetor përkujton heroin duke vizituar varrin e tij dhe Kullën e Boletinëve në Mitrovicë. Edhe ditën që u lirua nga Gjykata Speciale në Hagë, nuk harroi, por direkt vendosi një buqetë me lule te varri i Isa Boletinit. Hekuran Hoxha, edhe ky nip i Isa Boletinit dhe djali i Arianës, përfundon tani mandatin katërvjeçar si asambleist në Komunën e Gjakovës për Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas sloganit që Ariana Lila Hoxha dhe Arijeta Murati Turku paraqesin si moton e tyre përgjatë kësaj fushate “Dritë për Komunat”, flet për një jetë më të mirë për popullin në Kosovë. “Të jemi shembull i mirë për të gjithë – thotë Ariana – pasi me punë arrihet suksesi dhe jo me premtime si të tjerët”. Duke përfunduar, falënderojmë Shoqatën Shqiptaro Amerikane në Staten Island, Presidentin e saj Naser Nika, Bashkinë e Nju Jorkut si dhe të gjitha organizatat e tjera që bënë të mundur emërtimin e rrugës “Isa Boletini” përkrah liderit historik “Ismail Qemali” në Staten Island, Nju Jork. Njëherësh i urojmë suksese e fitore Ariana Hoxhës, Arijeta Murati Turkut, si dhe Hekuranit në arritje të sukseseve te reja në karrierë.
/Gazeta Panorama