Sat, Sep 13, 2025

Pete Davidson rrëfen traumën e humbjes së babait në 11 shtator

  • PublishedSeptember 13, 2025

Pete Davidson rrëfen traumën e humbjes së babait në 11 shtator

Kanë kaluar 24 vite nga sulmet e përgjakshme të 11 shtatorit 2001, por për aktorin dhe komedianin amerikan Pete Davidson, kjo datë mbetet e lidhur përjetësisht me një plagë personale. Atë ditë, ai ishte vetëm shtatë vjeç kur humbi babain e tij, zjarrfikësin Scott Davidson, i cili u vra teksa shpëtonte jetë në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Në një intervistë për podcast-in “Real Ones” me Jon Bernthal, Davidson kujtoi momentin kur kuptoi se babai i tij nuk do të kthehej më. “Babai më premtoi se do të vinte të më merrte atë ditë, por nuk u shfaq kurrë.

 

Mamaja ime nuk më tha të vërtetën për tre ditë, më thoshte se ishte në punë dhe më ndaloi të shihja televizor. Një mbrëmje ndeza fshehurazi ekranin dhe pashë babain tim aty. Lajmet raportonin se të gjithë zjarrfikësit në vendngjarje kishin humbur jetën,” tha ai.

Tragjedia la pasoja të thella në jetën e tij. Komediani 31-vjeçar pranoi se vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) dhe se ka kaluar gjithë jetën në terapi.

 

“Kjo humbje më krijoi probleme të mëdha besimi,” rrëfeu Davidson.

Megjithatë, pavarësisht dhimbjes, ai ka gjetur një mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtimin e babait, përmes humorit. Davidson theksoi se skenën e ka përdor shpesh si një mjet për të përballuar traumën dhe për të nderuar trashëgiminë e të atit, një hero i 11 shtatorit që u bë simbol i sakrificës së zjarrfikësve atë ditë.