Kosova/ Ia del Dukagjini, surprizon Malisheva
Skuadra e Dukagjinit ka marrë kryesimin në AlbiMall Superligën e Kosovës pas fitores 2:0 ndaj Ferizajt në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Për skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi kjo ishte fitorja e tretë radhazi, pas humbjes në xhiron hapëse.
Iljasa Zulfiu zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, ndërsa Egzon Sinani në minutën e 90-të vulosi fitoren e vendasve. Ferizaj nga pjesa e dytë mbeti me një futbollist më pak në fushë dhe kjo ndikoi në rrjedhën e lojës. Për Ferizajn ishte humbja e dytë rresht, pas dy fitoreve në fillim të edicionit. Aktualisht ndodhet në pozitën e pestë me gjashtë pikë.
Prishtina e Re ka arritur fitoren e parë pas dy humbjeve radhazi, duke e mposhtur Llapin 1:0 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Toni Gomes ishte vendimtar me golin e tij në minutën e 13-të, edhe pse skuadra vendase luajti që nga pjesa e parë me një futbollist më pak. Për ekipin e drejtuar nga Elon Berisha kjo është fitorja e dytë në këtë edicion, pas triumfit në ndeshjen hapëse.
Në anën tjetër, Llapi i drejtuar nga Tahir Batatina mbetet pa fitore edhe pas javës së katërt. Skuadra llapjane ka dy barazime dhe dy humbje në këtë fillim kampionati.
Ballkani ka regjistruar fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Drenicën me rezultat bindës 3:0 në Suharekë. Valentin Serebes ishte heroi i ndeshjes me ‘het-trik’. Ai shënoi në minutat 45+5’, 48’, 90+4’, duke e çuar në pesë numrin e golave personalë dhe duke u konfirmuar si golashënuesi më i mirë i kampionatit për momentin.
Skuadra portokallezi dominoi nga fillimi deri në fund, duke mbetur e pamposhtur pas katër javëve të para dhe duke dëshmuar se edhe këtë edicion është pretendente për titull.
Malisheva ka arritur fitoren e parë këtë edicion dhe atë duke e befasuar Gjilanin në shtëpi, me rezultat 3:1. Mevlan Zeka shënoi golin e parë në minutën e shtatë, por Gjilani barazoi shpejt me anë të Armend Thaqit në minutën e 12-të. Në pjesën e dytë, mysafirët vulosën fitoren me dy gola të shpejtë të realizuar nga Samuel Opeh në minutën e 72-të dhe Altin Aliu në minutën e 77-të.
Pas kësaj xhiroje, Malisheva ngjitet në pozitën e tetë me katër pikë, aq sa kanë edhe Gjilani (i shtati) dhe Drenica (e gjashta).
Xhiro e katërt e AlbiMall Superligës mbyllet me ndeshjen derbi që zhvillohet në orët e mbrëmjes ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.