“Magjistari” Modric nderon Milan, Allegri pas Bologna-s: Objektiv mbetet rikthimi në Champions (VIDEO)
Një “magji” e Luka Modric i dhuroi Milan një 3 pikësh të artë kundër Bologna-s, i dhuroi fitoren e parë në “San Siro”. “Djalli” ishte dominues, të paktën në shifra, ku goditën 4 herë shtyllën dhe nuk i lejuan rivalëve asnjë goditje në kuadrat, por dhe një herë ekipi i Allegrit shfaqi probleme të theksuara në fazën sulmuese, me Gimenez që i vetëm e kishte të vështirë të bënte diferencën.
Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në minutën e 61-të, Modric u shërbye në kufijtë e zonës së rreptësisë dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Ky ishte goli i tij i parë në Itali, një gol që vjen në moshën 40-vjeçare. Allegri mbajti ekipin përpara në përpjekje të golit të fitores, por Ricci dhe Gimenez ishin të pafat teksa goditën dy herë shtyllën. Në fund ishte Nkunku që reklamoi një penallti për faull në zonë, por nuk e mendoi në këtë formë gjyqtari i takimit, një vendim që tërboi Allegrin me këtë të fundit që u largua nga stoli me karton të kuq.
Pavarësisht këtij detaji të nxehtë, “djalli” doli me 3 pikë nga “San Siro”, një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme: “Magjistari Modric”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë.

Pas ndeshjes, Allegri konfirmoi edhe një herë se objektivi i Milan këtë sezon është rikthimi në Champions: “Ky është një grup fantastik, djem të mrekullueshëm që punojnë shumë pa u ankuar. Nuk ka vend për të festuar, duhet të përmirësojmë, kemi një objektiv të përbashkët, të rikthejmë klubin në Champions. Modric? Është një lojtar fantastik, është një kënaqësi ta shohësh duke luajtur”, u shpreh Allegri pas suksesit 1-0 përballë Bologna-s.
()
© BalkanWeb