Owen Cooper bën histori: Aktori kryesor i serialit “Adolescence” është fituesi më i ri i çmimit Emmy
Ceremonia e 77-të e ndarjes së çmimeve Emmy u zhvillua në Los Angeles, dhe një nga momentet më të paharrueshme të natës ishte fitorja e 15-vjeçarit Owen Cooper. Ylli i serialit “Adolescence” fitoi çmimin për aktorin më të mirë në një rol kryesor, duke u bërë kështu fituesi më i ri në histori të çmimit të njohur.
Në fjalën e tij pas marrjes së çmimit, Cooper ndau emocionet e tij dhe tha se kur nisi të ndiqte kurse drame, as që mund ta imagjinonte se do të ndodhte diçka e tillë. “Kur fillova, nuk prisja kurrë të isha këtu në SHBA, e lëre më këtu. Rreth tre vjet më parë nuk isha asgjë, dhe tani jam këtu. Dilni nga zona juaj e rehatisë, kujt i intereson nëse e turpëroni veten”, tha ai, duke i dhënë një mesazh frymëzues audiencës.
Seriali “Adolescence” u shpërblye gjithashtu me gjashtë çmime, duke përfshirë çmimin për miniserialin më të mirë. Stephen Graham, aktori i serialit, fitoi çmimin për aktorin më të mirë dhe theksoi rëndësinë e barazisë në sheshin e xhirimeve, duke deklaruar se për të ishte thelbësore që të gjithë të ishin të barabartë gjatë procesit të krijimit.
Ky vit ka qenë i suksesshëm për shfaqje si “Adolescence”, “The Studio” dhe “The Pitt”, që morën çmime të shumta gjatë natës së madhe të televizionit.
