Barça rikthehet e “frikshme”, Raphinha-Leva dhurojnë show, Flick: Ishim fantastik
Hansi Flick “shpërtheu” me një fitore tenistike përballë Valencias, një sukses i thellë 6-0 që i lejon të ndjekin “këmba këmbës” Realin kryesues. Në “Johan Cruyff”, në shtëpinë e talenteve, në “La Masia”, Barça mori shpejt kontrollin e lojës dhe në minutën e 29-të, Fermin Lopez kaloi blaugranët në avantazh.
Historia e këtij takimi ndryshoi totalisht me fillimin e pjesës së dytë, ku Flick hodhi fillimisht në lojë Raphinha-n dhe më pas Lewandowskin. Në minutën e 53-të ishte pikërisht Raphinha që dyfishoi shifrat. Barça ishte e papërmbajtshme dhe tre minuta më pas, Fermin Lopez realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Barcelonën. Raphinha dhuroi një show fantastik, me brazilianin që në minutën e 64-ët kompletoi “pokerin” e golave dhe “dopietën” e tij personale.
Stafetën më pas e mori Robert Lewandowski, me “bomberin” polak që realizoi një dygolash fantastik. Në minutën e 76-të me një goditje të fortë dërgoi topin në trekëndësh. Përpara se të përfundonte ndeshja, në minutën e 86-të, Leva shënoi edhe golin e dytë personal duke sigluar shifrat përfundimtare në 6-0. Fal këtij suksesi, Barça ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 10-të pikëve, 2 më pak se Reali kryesues.
Nga Fermin Lopez te Raphniha e Lewndowski, Hansi Flick u ngacmua jo pak nga gazetarët pas përfundimit të këtij takimi: “Fermin? Zhvilloi një ndeshje fantastike, por jo vetëm ai, e gjithë skuadra luajti shumë mirë. Ekipi ishte fantastik, në çdo repart. Në fushë mund të hedhim vetëm 11 lojtarë, kjo është e vetmja gjë që mund të them”, u shpreh Flick duke dribluar pyetjen në lidhje me dënimin ndaj Raphinha-s.
()
© BalkanWeb