City “përplaset” me Napolin, Guardiola dhe Conte me sytë nga Evropa
Manchester City-Napoli do të jetë padyshim kryendeshja e së enjtes në raundin e pare të fazes së ligës në Champions League. Të dyja skuadrat vijnë para kësaj ndeshje me entuziasmin e duhur dhe të karikuara për të bërë mire edhe në Champions League. “Qytetarët” u rikthyen këtë fundjavë tek fitoret, teksa mundën 3-0 United në derbin e Manchesterit. Një sukses që qetëson Guardiolën dhe armatën e tij, pas dy humbjeve radhazi në Premier League. Rikthimi në formë i Erling Haaland, por edhe siguria prapa pas afrimit të portierit Italian Gigio Donnarumma, kanë risjellë besimin se City mund të shkojë larg këtë sezon edhe në Champions.
Ndërkohë në krahun tjetër është Napoli. Kampionët e Italisë i kanë bërë një nisje perfekte këtij sezoni në Serie A, teksa kanë fituar 3 ndeshjet e para, e fundit ndaj Fiorentinës. Conte kërkon nga skuadra e tij që të bëjë një paraqitje shumë positive edhe në evropë, pavarësisht se që në ndeshjen e pare, do të kenë përballë një prej skuadrave më të forta të kontinentit. Lajme të mira për teknikun e italianëve, me mbrojtësin Beukema dhe portierin Meret që janë rikthyer në stërvitje me grupin e plotë, duke kaluar problematikat që pane ditët e fundit dhe kështu do të jenë në dispozicion të teknikut Conte. Ndërkohë që me emocione pritet rikthimi i Kevin De Bruyne në atë që ishte shtëpia e tij deri pak javë më pare, me belgun që ka qenë prej vitesh një lider i padiskutueshëm i Cityt.
© BalkanWeb