FOTO/ Rashford bën “luanin” në Angli, “kafshon” Newcastle me 2 gola, Flick: Është lojtar fantastik
Në tokën e tij, në Angli, Marcus Rashford shpërthen me një “dopietë”. “Bomberi” i “Tre Luanëve” zhvilloi një ndeshje fantastike përballë Newcastle duke udhëhequr Barcelonën në një fitore të madhe 2-1, një trepikësh i artë që i jep një bonus të rëndësishëm ekipit të Hansi Flick. Kjo nuk ishte një transfertë e lehtë dhe u pa qartë që në fillim, me “qymyrxhinjtë” që shtynë drejt sulmit që në start.
Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në fraksionin e dytë, Rashford me një goditje të saktë me kohë brenda në zonë kaloi Barcelonën në avantazh. I gjendur shpesh në akuzë, për mos përshtatje te Barça, Rashford heshti të gjithë kritikët me një super gol në minutën e 67-të, një predhë e vërtetë nga distanca që u stampua në rrjetë.
Newcastle u përpoq të rikthehej në lojë, por goli i Gordon erdhi vonë në minutën e 90-të, një gol thjesht për statistika pasi vendasit dalin “duar bosh” nga ky takim.
Show personal i Rashford mori vëmendjen e faqeve të para të mediave spanjolle: “Killer Rashford”, shkruan Mundo Deportivo në faqen e parë:
“Super Rashford”, ishte titulli i Sport. Pas ndeshjes, fjalët e para të Hansi Flick ishin pikërisht për Rashford: “Ai është një lojtar fantastik. Ka një talent të pabesueshëm për të përfunduar aksionet. Për një sulmues është gjithnjë mirë të shënojë, jam i lumtur për të pasi është një lojtar që e kërkuam gjatë verës”, theksoi Flick.
()
© BalkanWeb