Fri, Sep 19, 2025

Owen Cooper, 15-vjeçari që po ndryshon lojën në Hollywood! Roli i radhës që po synon

  • PublishedSeptember 19, 2025

Owen Cooper, 15-vjeçari që po ndryshon lojën në Hollywood! Roli i radhës që po synon

Vetëm pak ditë pasi bëri histori në Çmimet Emmy, duke fituar statujën e tij të parë të artë në moshën 15-vjeçare, Owen Cooper është kthyer në një nga emrat më të përfolur në Hollywood. Aktori i ri, protagonist i miniserialit të suksesshëm të Netflix “Adolescence”, po shihet si një prej kandidatëve kryesorë për të interpretuar rolin e Robinit në vazhdimin e shumëpritur të filmit “The Batman” me Robert Pattinson.

Regjisori i filmit, Matt Reeves, nuk ka fshehur entuziazmin për talentin e Cooper. Pas premierës së “Adolescence”, ai u shpreh: “Shfaqja e tij më ndikoi vërtet”, duke lënë të kuptohet se Cooper mund të jetë zgjedhja e duhur për rolin e partnerit të Kalorësit të Errët.

Ndërkohë, fansat e DC kanë shpërthyer në rrjete sociale me sugjerime e komente, duke e quajtur adoleshentin “Robini perfekt” për krah Batman-it.

Megjithëse tashmë është në qendër të vëmendjes botërore, Owen Cooper vijon një jetë të zakonshme. Ai është rikthyer në bankat e shkollës dhe ka treguar se prioriteti i tij kryesor mbetet arsimi. Mediat e huaja raportojnë se aktori i ri madje ka refuzuar një rol në “Star Wars: Starfighter”, përkrah Ryan Gosling dhe Amy Adams, vetëm që të mos humbiste një semestër të plotë shkollor.

Historia e tij është bërë frymëzim për shumë të rinj: një djalë i zakonshëm që përmes talentit dhe përkushtimit po arrin majat e Hollywood-it, pa harruar rrënjët dhe përgjegjësitë e tij si nxënës. Nëse zërat për rolin e Robinit rezultojnë të vërtetë, Cooper pritet të hyjë në një kapitull të ri të karrierës, duke u bërë pjesë e një prej sagave më të mëdha të kinemasë.