Sat, Sep 20, 2025

Elia Zaharia flet për divorcin me Princ Lekën: Jeta të ngre dhe të rrezon

  • PublishedSeptember 20, 2025

Elia Zaharia flet për divorcin me Princ Lekën: Jeta të ngre dhe të rrezon

Aktorja e njohur Elia Zaharia ishte këtë të shtunë në emisionin “ArtKand” në Top Channel, ku prezantoi librin e saj për fëmijë, “Perla dhe Dreri i Artë”, një projekt i realizuar gjatë një periudhe që ajo e përshkruan si “kakofoni” në jetën e saj personale.

Gjatë intervistës, gazetarja Jetona Koçibelli e pyeti Elian për divorcit e saj me Princ Lekën dhe mënyrën se si ajo e ka përballuar këtë periudhë të vështirë. Elia u shpreh me sinqeritet:

“E gjithë jeta ka ditë për ditë sfidat dhe ulje-ngritjet e veta. Nuk është asnjëherë betejë e fituar sepse jeta të rrezon dhe të ngre. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu sa herë të ngrihet të mos harrojë të ngrihet njeri. Sepse dhimbja apo sfidat që kalojmë ndonjëherë e shuajnë dritën dhe dashurinë që duhet t’i qasemi jetës, njerëzve, punës, dhe unë këtë jam munduar të bëj.”

Elia i dha fund martesës së saj me Princ Lekën pas një periudhe tensioni dhe përplasjeve, disa prej të cilave u bënë publike. Megjithatë, ajo duket se ka gjetur një mënyrë për t’i kthyer sfidat në frymëzim, duke kanalizuar energjinë e saj në krijimtari dhe projekte personale.

Libri i saj për fëmijë, “Perla dhe Dreri i Artë”, reflekton imagjinatën dhe ndjeshmërinë e autorës, duke ofruar një mesazh pozitiv dhe mësimdhënës për të vegjëlit. Prezenca në “ArtKand” shërbeu si mundësi për Elian që të ndajë jo vetëm krijimtarinë e saj, por edhe përvojat e jetës personale, duke treguar se resilienca dhe dashuria për jetën mund të mbizotërojnë mbi sfidat.