Finger food opera: Pas recitalit të sopranos Ermonela Jaho në Tiranë

Ka mbi një dekadë që Ermonela Jaho është bërë pjesë e familjes në Operën e Tiranës. Gati çdo vit, vjen me një recital, me një masterclass, e më rrallë, me ndonjë kryerol në opera. Në këtë raport, nuk mund të ndash dëshirën dhe detyrën e artistes për të dhënë për vendlindjen, nga kërkesat e një teatri të varfër për të dalë nga disa situata, falë reputacionit që Jaho ka si the world’s most acclaimed soprano.
E tha gjatë koncertit në 17 shtator, para se të këndonte “Ebben? Ne andrò lontana”, nga opera “La Wally” e Catalani-t, se, asnjë teatër në botë, nuk i fal ndjesitë që provon këtu. Akustika e keqe nuk lejonte që fjalët të vinin mirë deri në fund të sallës së tejmbushur, por thelbi ishte që, ajo sa herë vjen, kërkon shijen e gjellës së nënës dhe aromën e shkallëve të shtëpisë. Përjetimi i saj, sipas aries, tingëllon kështu: “Ebben? Ne andrò lontana…/Laddóve la speranza, la speranza/È rimpianto, è rimpianto, è dolor!”.
Mbase për këtë motiv, recitali titullohej “Kur ndjenjat marrin zë”.
I gjithë programi ishte repertor nga opera italiane. U kënduan arie të Puccini-t nga “Madama Buterfly”, “Tosca” dhe “Gianni Schicchi”, nga “Anna Bolena” e Donizetti-t dhe nga “Otello” e Verdi-t. Pjesa tjetër ishin nga vepra që nuk janë vënë ndonjëherë në skenën tonë: “Adriana Lecouvreur” e Cilea-s, “Maria Stuarda” e Donizzetti-t, “I Capuleti e i Montecchi” të Bellini-t, shoqëruar nga kori dhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit. Kjo e fundit, nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati-t, ekzekutoi uverturën nga “Kapuletë dhe Montagë”, “Intermezzo” nga “L’amico Fritz” e Mascagni-t dhe “Danza delle ore” nga “La Gioconda” e Ponchielli-t.
U duk preferenca për Giacomo Puccini-n, ariet e të cilit zinin pjesën kryesore të recitalit. Jaho vazhdon ta ruajë gjerësisht në repertor këtë kompozitor, që e ka pasur shenjë inkurajuese në fillimet e veta, kur fitoi Konkursin “Puccini” në Milano, 1997. Një sukses konstant i saj, që lidhet pikërisht me Puccini-n, është “Suor Angelica”, të cilën e ka kënduar nga Opera House e Londrës, në Teatrin e Barcelonës, po dhe në Tiranë, në vitin 2015. Për të kuptuar elasticitetin, disiplinën dhe guximin e kësaj artisteje, mjafton të shohësh kalendarin e produksioneve të ardhshme ku ajo performon deri në fund të vitit 2026: nga “Irisi” ekzotik i Mascagni-t në Teatro Real të Madridit, tek Margarita e “Faustit” fantastik të Gounod-së, në Operën e Bastijës.
Të tregosh nga bota e secilit personazh femëror në 3-4 minutat e një arieje, që duket si e nxjerrë jashtë kontekstit të veprës së plotë, t’i japësh secilës ngjyrën personale, për gjendje njerëzore që shkojnë nga nënshtrimi tek pavarësia, dhe ta bësh këtë me të njëjtën fuqi dhe thellësi, duhet të jetë një pozicion po aq i vështirë për sopranon, sa interpretimi i një kryeroli në një produksion të vërtetë operistik. Kështu që, për nga pangjashmëria e karaktereve, recitali i fundit në Tiranë ishte gosti dhe për nga mundësia për të shijuar secilën botë, ishte vakt i ngrënë më këmbë, një finger food opera.
Këtë e ndjen kush e ka parë Jahon në një opera të plotë në skenën shqiptare. Do përmendja interpretimin në “La traviata”, në 2007-ën. Pikërisht me Violetën, ajo shpëtoi Verdin në Convent Garden në vitin 2008, kur sopranoja ruse Anna Netrebko kishte hequr dorë në moment të fundit. Prej atij rasti, karriera e shqiptares do shënonte vetëm ngritje, nga Ravena në Stokholm, nga Bejruti në Nju Jork, nga Filadelfia në Tokio, me Ço-Ço Sanin, Suor Anxhelikën, Ana Bolenën, Manon Leskonë, Miminë, Xhuljetën.
Atë vit në Tiranë, regjisori Massimo Ranieri e pati nxjerrë Violetën jashtë kopshteve të Belle Époque-ës, zbathur, me veshje dhe energji shkollareje, në një lojë të kënduar me intensitet dramatik. U admirua maksimumi i saj në skenë, një lloj vetësakrifikimi i ngjashëm me atë të heroinës së Verdi-t.
Rikthimi i vërtetë dhe prej atëherë i pashkëputur, ndodhi në vitin 2014. Ajo la të kuptohej se, për shtatë vjet, nuk kishte marrë ndonjë ftesë nga institucionet shqiptare të kulturës dhe me atë rast TOB-i prodhoi posaçërisht “Madama Butterfly”, opera e preferuar e Jahos. Në atë rol e kujtoj kështu: ajo hyn me droje në skenë në mes të korit të vajzave dhe të bën të besosh se, edhe era më e dobët e fatit, e rrëzon Ço-Ço Sanin pa ndonjë rezistencë. Por ajo është aty për të treguar se, çka e quajmë fat, ka shpesh trajtën e një grumbulli të ndërlikuar ndjenjash që lindin, zhvillohen dhe treten në një fund që të merr me vete. Zëri i saj është prova se si i hap dyert ky fat, kur njeriu bie në dashuri dhe si i mbyll shtigjet të gjitha, kur i njëjti njeri bie në dëshpërim. Është pikërisht zëri ai që ndjek me saktësi trajektoren e ndjenjave dhe të fatit të Ço-Ço Sanit 15-vjeçare. Ajo i gëzohet lojës për moshën që bën me konsullin amerikan (në rol baritoni Ylber Gjini), i kanë hijeshi gjestet, puthitja me finesë pas gjunjve që i bën kimonosë. Brenda dy orëve, spektatori ndjen si rritet zemërimi tek ai shtat i vogël që shtrëngohet në mes nga një obi, aty ku do ta shqyejë kama e vetëvrasjes. Sopranoja e jeton personazhin nëpër gjithë këto nuanca mërmërimash, që rriten e bëhen tone të forta thërritëse, duke pasur aftësinë që ta dëshmojë prezencën jo thjesht dhe vetëm me zë, po dhe me lojë dramatike. Në tërësi, vënia në skenë e “Madama Butterfly”, një subjekt i supozuar të ndodhë në Nagasaki, ishte një “Medrese” Tirane me mall kinez, në kostume, skenografi, lëvizje, një prodhim i bërë me vrap, për t’u përputhur me datat e lira të sopranos, ndërkohë që deklaratat e saj ishin më me pathos, siç ishin shpresat për ditë më të mira për Operën dhe kolegët shqiptarë.
Dhjetë vjet më vonë, përpos rikonstruksionit problematik, në Opera nuk ka ndryshuar gjë. Artistja Ermonela Jaho ecën para, në çdo kthim, atdheu ia mbush gjoksin me merita si “simbol krenarie për artin dhe kulturën shqiptare”, ndonjë OJQ i organizon gala të llojit “kthimi i dallëndyshes” (i vënë dhe një dallëndyshe në afishe), pastaj në audiencë PR-i me kryetarin e bashkisë (sot në burg), ky e quan shembulli i “Shqipërisë që punon”, ndërsa Opera jonë mbetet po ajo. Nuk plotëson nevojat për soprano e tenorë (me ndonjë përjashtim tek baritonët) që të dublojnë pa frikë starët, siç ndodhi vitin e kaluar me “Madama Buterffly”, kur u gjetën me urgjencë në minutën e fundit disa artistë të huaj. Importohen këngëtarë, regjisorë, dirigjentë, ç’të dalë më lirë e më kollaj nga bregu përballë, duke lënë në vendnumëro kultivimin e burimeve, talenteve dhe kapitaleve të këtushme.
Nuk e nxjerr Ermonela nga situata Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me një boostim imazhi për çdo fillim sezoni. Në këtë mënyrë, ajo aprovon në Shqipëri një standard që është i dyshimtë në raport me skenat ku ajo shkëlqen, sa saje të një sistemi që i hap rrugën meritave dhe konkurrencës. Ato që Ermonela në Shqipëri i këndon si arie, është e ftuar t’i këndojë si vepra të plota në skenat e botës, atje ku funksionojnë kontratat normale, punësimi i rregullt, shanset e barabarta, statusi i artistit, sezoni i planifikuar 2-vjeçar.
Modeli historik i teatrove me repertor si TOB-i i Tiranës, mbështetet në programimin e sezonit artistik. Si për teatrot jokomercialë edhe për kompanitë më prestigjioze operistike, ky model funksinon vetëm mbi parimin organizativ të kalendarit, i cili, në vende me një industri dhe treg të argëtimit, ekziston edhe për arsye të mirëfillta ekonomike, të shitjes dhe rezervimit të vendeve në sallë. Sezon artistik nuk quhet ndarja e datave për shfaqje në kalendar, por plani i menaxhimit që zbaton operacione financiare dhe ligjore. Opera jonë nuk ka një axhendë të tillë, nuk e njeh politikën e menaxhimit të një teatri, që është më i madhi në Shqipëri (janë mbi 200 artistë, pa llogaritur punonjësit e sektorëve të tjerë të institucionit).
Planifikimi i sezonit nga shtatori në qershor është gjëja më e rëndësishme që pritet nga një drejtues dhe ekipi i tij, bashkë me transparencën e procesit që duhet bërë para fillimit të sezonit, përballë medias, për të shpallur programin e ri me prodhime të reja, rivënie operistike, përshtatje të veprave historike, koncerte simfonike, recitale, pa folur për performancat për fëmijët. Me po aq numër prodhimesh sa Opera, duhet të vijë trupa e Baletit. Sezon artistik do të thotë ta jetosh teatrin si profesionist. Në vend të kësaj, TOB-i qarkullon si kalendar një fletushkë për shfaqjet e shtatorit 2025. Kryefjalë janë javët kulturore të Malit të Zi, Arabisë Saudite dhe Kinës (Opera nuk është pjesëmarrëse); midis është Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore me dy koncerte, Bylis Polifonia dhe Peza në Festë; “Mullixhesha e bukur”, një recital vokal-piano në Vlorë; një thyerje ishte koncerti i Jahos dhe java e fundit i është rezervuar operës “La Traviata”. Siç shihet, në shumicën e muajit, skena e Operës merret hua nga ambasadat dhe Ministria e Kulturës.
Shtatori do duhej të inaugurohej me një produksion operistik, mundësisht premierë, gjë që nuk mbahet mend kur ka ndodhur për herë të fundit. Situata nuk ka gjë të përbashkët me pretendimin e deridjeshëm të drejtuesve të Operës, për një “erë të re”, stil të ri lidershipi dhe planifikimi dhe për ndërtimin e një kalendari 2-vjeçar.
Teatri i Operës, dhe jo vetëm ai në fakt, ashtu si jeta e përditshme në Shqipëri, i ka rrëshqitur qëndrueshmërisë, durimit për të krijuar audiencë e për të arritur sukses afatgjatë dhe publiku po orientohet drejt një lloj organizimi të kohës për argëtim, shije, kulturim, impenjim shpirtëror në minutën e fundit, aty për aty, për t’iu nënshtruar ligjit që thotë: çfarëdo që të sjellë jeta, bujrum!