Të sharat në koncertin në Drenicë, Egli Tako: Pjesën tjetër nuk e kam nxjerrë nga goja
Egli Tako ka folur për herë të parë mbi polemikat e mëdha që u krijuan gjatë koncertit të saj në Drenicë, ku publiku thirri ofendimin e njohur ndaj Serbisë dhe ku u interpretua sikur ajo mbështeti momentin. E ftuar në emisionin “The Dalina Show” në Andale, Egli sqaroi hap pas hapi se çfarë ndodhi në skenë dhe pse reagimi i saj u keqkuptua.
Në fillim, Egli theksoi se nuk ishte e vetmja këngëtare që ka qenë pjesë e një momenti të tillë, duke përmendur se mbi 20 emra të njohur të skenës shqiptare dhe kosovare kanë vepruar njësoj para saj. Këngëtarja pranoi se, edhe pse nuk e nisi vetë thirrjen, u bashkua për pak çaste me publikun.
“Më vjen shumë mirë që e bëre këtë pyetje. Ndër gjithë fjalët që janë folur për mua, ndër gjithë gjërat që janë diskutuar, mund të kem reaguar një herë ose dy herë deri tani në totalin e këtyre 200 mijë herëve dhe nuk e kam pasur fare ndër mend që të bëja një reagim në rrjetet sociale, por meqënëse ti po ma drejton si pyetje më vjen mirë sepse dhe unë kam pasur dëshirë brenda vetes ta sqaroj një herë e mirë këtë muhabet.”
“Ajo çfarë unë kam bërë në atë skenë, dua ta nis së pari duke thënë që është bërë nga mbi 20 artistë të tjerë të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe vlen për ta theksuar, të Shqipërisë dhe të Kosovës përpara meje. Unë të them të drejtën s’është se e mbaj veten për ndonjë gocë me kaq shumë influencë sa të sfidoj emra si Noizy, si Finem, si artistë që posedojnë hit-e me nga 200 milionë klikime në YouTube dhe paguhen nga 20-25 mijë euro në koncerte. Megjithatë, ju faleminderit shumë të gjithë atyre njerëzve që u ka rënë në vesh kjo e imja, jo emrave të tjerë.”
“Gjëja ka ndodhur në formë të tillë, unë duke qenë se isha ne Drenicë, pra kisha një koncert në Drenicë, brenda repertorit tim e ndjeva që ta këndoja këngën e famshme të Drenicës. Unë e ndjeva, e dija që do isha në Drenicë dhe po të shohësh në telefonin tim kam video përpara se të nisesha. Po bëja prova në Tiranë, për ta kënduar këngën sepse nuk kam qenë edhe në maksimumin tim vokal. Po nuk ma ndjente, thjesht doja që ta këndoja atë këngë dhe e dija që do ta këndoja sido që të dilte.”
“Në momentin kur unë kam marrë flamurin, duke qenë që isha me një crop top me gurë, një veshje koncerti, për t’i dhënë këngës pak atë peshën dhe rëndësinë që ajo ka dhe për të mos dalë me një dekolte pak të hapur, mora flamurin e Shqipërisë dhe u mbulova, po kot nuk i thonë që ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’, dhe çfarëdo që të bësh, ai që do të komentojë, do ta komentojë dhe ti plas në vend.”
“E kam vënë flamurin dhe kam filluar të këndoj këngën. Në momentin që unë kam qenë duke vendosur flamurin, turma poshtë fillon dhe thotë ‘Serbi, Serbi’ dhe atë pjesën tjetër që e dimë të gjithë tani, mos të bëjmë sikur jemi rritur në Paris.”
“Dhe vetëm vazhdonin dhe e thonin, dhe për një moment, e ndjeva të natyrshme të bashkohesha me ta. Në fund të ditës unë mund të mos jem e Kosovës, unë mund të mos kem vuajtur luftën e tyre, ama unë vij nga një familje që ka dhënë jetën për luftën tonë, nacional-çlirimtare këtu në vendin tonë. Më kanë vdekur personat dhe njerëzit e familjes, nga e cila kam marrë dhe emrin. Vij nga një gjysh që më ka rritur që copë mishi deri 18 vjeç, duke më folur për këtë luftë, duke qenë partizan. E ndjeva të isha pjesë e asaj që po thonin, në fund të ditës, patjetër ne marrëdhëniet diplomatike mund t’i kemi shumë të mira me Serbinë, por sigurisht që unë nuk e dua kurrë Serbinë. Ajo gjë i ka ndodhur vendit tonë, Kosova për mua është njësoj si Shqipëria.”
“Unë nuk e iniciova këtë gjë. Nuk ishte ky rasti. Turma kishte nisur dhe një moment thashë ‘OK, në fund të ditës, ç’të keqe ka?’ dhe thjesht kam thënë ‘Serbi, Serbi…’ pastaj pjesën tjetër nuk kam nxjerrë asnjë fjalë tjetër nga goja.”