Sat, Apr 26, 2025

Superiorja në moment të ethshëm, Allmuça: Ndeshjet e radhës dhe derbi vendosin gjithçka

  • PublishedMay 5, 2023

Jemi në momentin më të ethshëm të sezonit, ku Tirana dhe Partizani garojnë për trofeun e Kategorisë Superiore. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i të dyja ekipeve, Igli Allmuça, tregon për shanset e secilit ekip për titullin.

igli allmuca

Nisur nga avantazhi që Tirana ka, ai sheh më të avantazhuar bardheblutë. Gjithsesi, Allmuça shprehet se edhe Partizani ka shanset e veta. Sipas tij, ndeshjet e radhës dhe derbi do të përcaktojnë gjithçka.

Është në krye me 5 pikë më shumë se kundërshtari. Sa larg titullit është Tirana?

Përderisa është krijuar një diferencë prej 5 pikësh, normalisht që në letër ka më shumë shanse se Partizani. Por asnjëherë futbollit nuk i dihet, sidomos me luhatjet që kanë treguar këto dy ekipe.

Si mund të shkojnë këto javë të mbetura?

Këto dy ndeshjet e ardhshme janë shumë vendimtare për vazhdimësinë e kampionatit. Tirana ka një ndeshje shumë të vështirë në Durrës, njëjtë është edhe për Partizanin ndaj Kukësit, por e mira është që luan në fushën e vet. Më pas është derbi.

Nëse Partizani i fiton të dyja ndeshjet dhe Tirana çedon, i bie që Partizani të marrë kreun. Çdo skenar është i mundshëm, nuk është diçka e pamundur të ndodhë. Ky është i vetmi skenar që Partizani mund të afrohet. Pra, Tiranën ta ndalë Teuta dhe Partizani të shkojë në derbi për të luajtur një finale, që vendos më pas titullin kampion.

Ju duket Partizani një skuadër që mund ta bëjë realitet këtë skenar? E kanë forcën e duhur?

Unë them se Partizani në vazhdimësinë e kampionatit, ka pasur luhatje, por ka treguar edhe vazhdimësi. Periudha që çedoi Partizani, ishte kur u largua Bitri me Skukën dhe u deshën disa javë që të ambientoheshin pa këta të dy në formacion, që ishin lojtarë shumë të rëndësishëm. Ishin lojtarët më në formë. Aty la disa pikë dhe më pas e mori veten.

Ku ndryshojnë këto dy skuadra dhe çfarë ka diçka më të mirë Partizani dhe anasjelltas?

Tirana ka stofin si skuadra kampione. E njëjta gjë vlen edhe për stafin teknik, që kanë dalë vjet kampionë dhe kanë krijuar edhe ata mentalitetin fitues. Shehi dhe Osmani e kanë provuar këtë ndjesi dhe e kanë mendësinë e fituesit.

Kurse Partizani nuk besoj se ka diçka që e ka më të mirë se Tirana. E vetmja gjë që mendoj se motivon pak më shumë Partizanin në këtë sezon është fakti që e kanë fituar dy herë derbin dhe janë në avantazh në ndeshje direkte.

PANORAMASPORT.AL