Sat, May 4, 2024

Ishi i “demave”, Engjëll Hoti: Partizani favorit, derbi edhe në finalen e madhe

  • PublishedApril 24, 2024

Engjëll Hoti është ndër të vetmit lojtarë që ka arri tur të fitojë titullin kampion dy herë radhazi me Tiranën dhe Partizanin, dy rivalët më të mëdhenj. Diçka të tillë kujtohen ta kenë bërë emra si Fatmir Frashëri dhe Osman Mema disa dekada më parë. Fantazisti këtë sezon është pjesë e LKS Lodz në Poloni, ku ka arritur të shënojë tre gola, njëri më i bukur se tjetri.

Në një intervistë për “Panorama Sport” Hoti flet për arritjet personale, si dhe për derbin e së dielës. 27-vjeçari sheh “demat” si favoritë, teksa do të donte që të kishte derbi edhe në finalen e madhe të titullit kampion.

Engjëll, si po ju shkon eksperienca në Poloni? Skuadra nuk ndodhet në situatën më të mirë, por ju personalisht keni pasur ecuri të kënaqshme…

Këtë vit të parë në Poloni mund ta konsideroj shumë të mirë për mua personalisht. Si ekip kemi pasur luhatje, skuadra ka ndërruar disa trajnerë dhe ky ka qenë problemi ynë. Nuk kemi mundur të gjejmë stabilitet. Personalisht mund ta konsideroj një sezon pozitiv.

Kush ishte më i bukur, goli i Ronaldinjos me Barcelonën kundër Çelsit apo ky i juaji kundër Radomiak së fundmi?

(Qesh) E vërtetë që janë dy gola të ngjashëm. Ka qenë pak stil i njëjtë, sepse të dy kemi ndalur topin dhe kemi pritur një sekondë për të gjetur hapësirën e goditjes. Por unë gjuajta me të brendshmen, ndërsa Dinjo në mos gaboj ka goditur me të jashtmen, kështu që i tij mendoj se mbetet më i bukur.

Po i afrohemi fundit të sezonit dhe hapjes së merkatos. Do të vazhdoni ende në Poloni?

Po, kemi edhe një muaj derisa të mbyllet kampionati. Mendoj se e ardhmja ime do të vijojë të jetë në Poloni.

Të dielën luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Ju ka marrë malli për këtë ndeshje?

Me fol drejt më ka marrë malli të luaj në derbi, sepse kanë qenë gjithnjë emocione shumë të mira, të bukura. Kam luajtur me dy klubet më të mira në Shqipëri dhe gjithnjë ka qenë kënaqësi më vete.

Në cilën anë ju ka shijuar më shumë derbi kur ishit vetë në fushë?

Mendoj se kur kam qenë te Partizani e kam shijuar më shumë, sepse e kam ndjerë veten më të rëndësishëm për skuadrën. Kjo ka qenë arsyeja.

Cili është derbi që ju ka ngelur më së shumti në memorie?

Kur kam qenë pjesë e Partizanit, ndeshja më e bukur ka qenë kur kemi fituar 1-0 me gol të Skukës. Ishte një triumf i rëndësishëm, sepse Partizani nuk e fitonte derbin prej disa ndeshjesh. Te Tirana veçoj derbin kur kemi fituar ndeshjen dhe jemi shpallur matematikisht kampionë në të njëjtën kohë.

Si e keni parë Orges Shehin te Partizani? E prisnit një lëvizje të tillë?

Të them të drejtën nuk e kam pritur një lëvizje të tillë, sepse ai ka pasur një lidhje të mirë me Tiranën dhe ka korrur sukses në atë klub, por futbollit nuk i dihet kurrë dhe pas largimit të Zekiçit situata ndryshoi. Partizani gjithnjë ka synuar të ketë lojtarët dhe stafin më të mirë në Shqipëri dhe mendoj se Shehi është trajneri më i mirë i Superiores. Prandaj si profil mendoj se është i duhuri për Partizanin.

Cila mendoni se është skuadra favorite në derbin e së dielës?

Mendoj se favorit është sërish Partizani. Pavarësisht kësaj, pres një duel të fortë, sepse edhe Erbim Fagu, që tashmë është në krye të Tiranës, ka shumë kualitet dhe potencial. Trajnerët e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. E dinë se çfarë kërkon njëri e çfarë tjetri, prandaj pres një duel shumë interesant.

Sa mendoni se del dhe a keni në mendje ndonjë lojtar që ka aftësinë për ta vendosur këtë derbi?

Mendoj se këtë derbi e fiton skuadra që bën më pak gabime. Fakti që jemi në fund të sezonit dhe luhen fatet e të dyjave, bën që të jetë gjithçka e hapur dhe e kam të vështirë të përcaktoj një fitues.

Mendoni se edhe në “Final 4” do të luhet një tjetër derbi mes këtyre dy ekipeve?

Edhe në “Final 4” mendoj se do të vijë puna që të luajnë sërish derbi. Më e bukura do të ishte të luhej derbi në finalen e madhe dhe aty të caktohej kampioni.

Cili Partizan është më i fortë, i vjetshmi apo i sivjetshmi?

Mendoj se Partizani i vjetshëm ka qenë më i fortë se sivjet. Kemi pasur lojtarë me shumë kualitet dhe nuk kemi përjetuar luhatje kaq të theksuara sa sivjet.

AlbaniaWeb.net