Thu, May 9, 2024

Barazimi ndaj Laçit, Dritan Mehmeti: Luajtëm ndaj një rivali simpatik, jam optimist për të ardhmen

  • PublishedApril 27, 2024

Numri një i stolit të Dinamos, Dritan Mehmeti dha mendimin e tij pas barazimit pa gola ndaj Laçit.

“Në të tilla ndeshje tensioni ndihej. U rritëm në pjesën e dytë, dominuam por duhet të jemi të qetë. Kemi vështirësi në 20 metrat e fundit, krijojmë volum dhe kemi raste. Disa momente bëjnë diferencën kur ruan qetësinë për të shkuar te goli. Kjo ndikoi te performanca e ekipit. Më vjen keq sepse duhet të ishim të qetë, fitorja vjen nga minuta e parë deri te e fundit. Pjesa e dytë ishte e mirë, por mungoi qetësia. I mirëkuptoj lojtarët pasi dhanë gjithcka dhe janë në presion.

Tifoz me Partizanin në derbi? Do shoh vetëm ekipin tim, nuk pres nga gabimi i të tjerëve. Duhet të kemi besim te vetja dhe sot i patëm mundësitë. Kur varesh nga të tjerët nuk është më në dorën tënde. Përqendrohemi në javën tjetër pasi është një kampionat i cmendur.

E kishim përgatitur të shonim me shumë forca në sulm, por pjesa e parë ishte me shumë tension. E përjetuam si finale. Shkonim më shpejt sec duhet në zonën kundërshtare kur ata mbroheshin me shumë forca. Tek e dyta më pas mungoi vetëm qetësia.

Pse u zëvëndësua Zabërgja? Ka bërë shumë mirë, por mendova ta ndërroj pasi ka ngarkesë të madhe fizike. Nuk ishte në ritmin e duhur dhe e ndërrova për ta mbrojtur. Futa Tushën pasi e njeh mirë portën dhe doja një pikë referimi në sulm. Prita më shumë që të ishte më afër portës pasi ka goditje shumë të mirë.

Frikë ndaj Laçit? Nuk e mendoj ashtu, kishim disa mungesa. Laçi është skuadër simpatike, para dy jave mposhti Vllazninë. Edhe ne jemi skuadër e re dhe nuk kemi patur rezultate në vazhdimësi por lojëra të mira. S’kemi vetëm qetësinë para porte pasi humbim shumë raste. Ndoshta është edhe presioni i brendshëm.

Duke parë rastet, situatat dhe dominimin mendoj se humbëm 2 pikë. Duhet të ishim më të qetë me rastet e Vilës, Zabërgjes e Denisson. Fitoren e tentuam me patjetër”, tha Mehmeti.

AlbaniaWeb.net