Sat, May 18, 2024

Vllaznia nuk vdes kurrë, shkodranët fitojnë me gol “In Extremis”, Tirana pëson disfatë

  • PublishedMay 4, 2024

Vllaznia nuk vdes kurrë. Shkodranët triumfuan ndaj Dinamos me rezultatin 1-0, falë një goli në fund të Dodaj. Bekim Balaj dha sinjalet e tij që në fillim. Sulmuesi provoi me kokë në minutën e tetë, por pa u koordinua si duhet, ndërsa në të 10-tën ishte shtylla që e ndali nga goli.

Dinamovitët u zgjuan në minutën e 22-të. Pas një gabimi në prapavijën shkodrane, Denison u përpoq që të përfitonte, por s’kishte saktësinë e duhur. Në të 40-tën, sërish Bekim Balaj protagonist, ai mori përsipër ekzekutimin e një goditje dënimi, me sferën që përfundoi jashtë.

Ekipi i Dritan Mehmetit “flirtoi” me golin pas një ore loje. Traversa i mohoi golin Qefaliajt, pas një aksioni të shpejtë. 13 minuta nga fundi i kohës së rregullt, ekipi i Bërdaric reklamoi një penallti pas një rrëzimi në zonë të Grudës, por arbitri nuk kishte të njëjtin mendim.

Në kohën shtesë, Vllaznia ia doli të merrte 3 pikët pas golit të Dodaj, duke shkuar kështu në kuotën e 56 pikëve në vendin e dytë. Dinamo është në vendin e katërt me 48 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Tirana komplikon llogaritë për Final Four pas humbjes me Laçin, Partizani kaloi 1-0 Skënderbeun, barazim spektakël 3-3 mes Erzenit dhe Kukësit, ndërsa Teuta-Egnatia u mbyll 1-0.

(J.S/)

AlbaniaWeb.net