Shuhet në moshën 87-vjeçare piktori i njohur shqiptar!
Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare një nga emrat më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, Skënder Kamberi.
Me një karrierë që shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli, Kamberi konsiderohej një ndër “penelat” më të spikatura të artit figurativ shqiptar që prej viteve ’60. Vepra e tij u karakterizua nga kompozime të fuqishme, ku ndërthureshin temat historike, shoqërore dhe identitare.
Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij ruhet sot në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndërsa shumë punime ndodhen në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Pikturat e Kamberit kanë udhëtuar përtej kufijve, duke u ekspozuar në vende si Franca, Italia, Greqia, Turqia dhe Egjipti, duke e bërë atë një përfaqësues të denjë të artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Ndër veprat më të njohura të tij përmenden “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Buka e duarve tona” (1976), si dhe portrete të spikatura si ai i Sali Vranishtit dhe Maro Pashos.
I lindur më 2 shkurt 1939 në Vlorë, Kamberi përfundoi studimet në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1965. Pas diplomimit, ai u kthye në qytetin e lindjes, ku së bashku me piktorin Nestor Jonuzi kontribuoi në zhvillimin dhe përhapjen e artit pamor.
Ndarja e tij nga jeta shënon një humbje të madhe për kulturën shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike.
