Shqipëria pret të njohë rivalët e Europianit, shorti në Beograd përcakton rrugëtimin e kuqezinjve U-21!
Vëmendja e futbollit shqiptar është sot në Beograd, ku në orën 18:30 do të hidhet shorti i fazës finale të Kampionatit Europian U-21, që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri dhe Serbi.
Shqipëria U-21, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, do të mësojë tre kundërshtarët e saj në fazën e grupeve, në një kompeticion historik për futbollin shqiptar. Kuqezinjtë janë pjesë e turneut si një nga dy vendet organizatore dhe janë pozicionuar në Vazon 4.
Një detaj i rëndësishëm i shortit është se Shqipëria do ta nisë garën nga pozicioni B1, në Grupin B. Për këtë arsye, kuqezinjtë nuk mund të përballen në grup me Belgjikën, Çekinë apo Serbinë, të cilat ndodhen gjithashtu në Vazon 4. Serbia, si vend organizator, është pozicionuar në A1.
Në Vazon 1 ndodhen Spanja, Gjermania, Anglia dhe Portugalia, ndërsa në Vazon 2 janë Franca, Italia, Holanda dhe Kroacia. Në Vazon 3 bëjnë pjesë Polonia, Greqia, Finlanda dhe Norvegjia.
Kjo do të thotë se Shqipëria mund të ketë përballë kundërshtarë të nivelit të lartë që në fazën e grupeve, ndërsa shorti do të përcaktojë rrugëtimin e saj në këtë aventurë europiane.
Europiani U-21 do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027. Ndeshjet në Shqipëri do të luhen në katër stadiume: “Arena Kombëtare”, “Arena e Demave”, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”.
Vazot në short:
Vazo e parë: Spanjë, Gjermani, Angli dhe Portugali
Vazo e dytë: Francë, Itali, Holandë dhe Kroaci
Vazo e tretë: Poloni, Greqi, Finlandë dhe Norvegji
Vazo e katërt: Belgjikë, Çeki, Serbi, Shqipëri
