Thu, Apr 16, 2026

UST dhe Fondacioni “Egnatia” firmosin marrëveshje bashkëpunimi, fokus te sporti dhe të rinjtë

UST dhe Fondacioni “Egnatia” firmosin marrëveshje bashkëpunimi, fokus te sporti dhe të rinjtë
  • PublishedApril 16, 2026

Universiteti i Sporteve të Tiranës dhe Fondacioni “Egnatia” kanë nënshkruar më 14 prill 2026 një marrëveshje bashkëpunimi, duke vendosur një kuadër të përbashkët për zhvillimin e aktiviteteve në fushën e sportit, edukimit dhe përfshirjes së të rinjve.

Marrëveshja është firmosur nga Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof. Dr. Agron Kasa, dhe Presidenti i Fondacionit, Agim Demrozi, në kuadër të angazhimit për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe efektive.

Sipas njoftimit, bashkëpunimi synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe pjesëmarrjen në programe të financuara nga Bashkimi Europian, përfshirë Erasmus+, CERV, Horizon Europe, Interreg dhe IPA.

Një tjetër fokus i marrëveshjes është nxitja e kërkimit shkencor në sport, inovacioni dhe përfshirja sociale përmes aktiviteteve sportive, si dhe angazhimi i studentëve në praktika dhe iniciativa të përbashkëta.

Në këtë kuadër, Universiteti i Sporteve të Tiranës ka vlerësuar gjithashtu progresin e Fondacionit “Egnatia” dhe veçanërisht të Klubit të Futbollit Egnatia, i cili është konsoliduar si një nga klubet elitare në futbollin shqiptar, falë performancës dhe profesionalizmit të tij.