Arrestohen 2 persona të dyshuar për grabitje në banesën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk
BBC
Dy persona janë arrestuar nga policia britanike, nën dyshimin për tentativë grabitjeje dhe hyrje të paligjshme në banesën e Princit William dhe Princeshës Kate, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk të Anglisë.
Sipas policisë së Norfolkut, telefonata për praninë e personave të dyshimtë në rezidencën Anmer Hall është marrë pak para orës 18:00 të së hënës. Menjëherë pas raportimit, forcat e policisë kanë nisur një operacion kërkimi në zonë, duke përdorur qen gjurmues, dronë dhe një helikopter.
Gjatë operacionit, dy burra u arrestuan brenda territorit të pronës mbretërore. Ata vijojnë të jenë në paraburgim, ndërsa policia po heton rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet konfirmuan se në momentin e incidentit, rezidenca nuk kishte banorë. Nga ana tjetër, Pallati Kensington deklaroi se nuk komenton çështje që lidhen me sigurinë.
Anmer Hall është një rezidencë historike me 10 dhoma gjumi, e ndodhur në pronën private Sandringham. Ajo iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. William dhe Kate nuk jetojnë aty gjatë gjithë kohës, por e përdorin si rezidencë pushimi, veçanërisht gjatë festave.
Banesa kryesore e Princit dhe Princeshës së Uellsit ndodhet në territorin e Kështjellës Windsor, në Berkshire.
Ngjarja ka habitur edhe banorët e zonës. Val Blackmur, 83 vjeçe, e cila jeton në rrugën që të çon drejt Anmer Hall, i tha BBC-së se gjatë 50 viteve që ka jetuar aty nuk kishte dëgjuar për raste të ngjashme.
Ajo e cilësoi të pabesueshme mundësinë që dikush të kishte tentuar të hynte në rezidencë, duke theksuar se prona ndodhet në një zonë të izoluar dhe jo lehtësisht të dukshme.
Prona mbretërore Sandringham shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 80 kilometrash katrorë dhe përfshin disa rezidenca ku qëndrojnë anëtarë të familjes mbretërore britanike.
Incidenti rikthen vëmendjen te siguria e rezidencave mbretërore në Britani. Në vitin 2024, policia e Thames Valley konfirmoi se persona të paidentifikuar kishin hyrë në një fermë në territorin e Kështjellës Windsor dhe kishin vjedhur dy automjete.
