Kostot e zjarrit mund të na kushtojnë më lirë nga buxheti sesa nga sigurimet
Shkaku i zjarrit dhe përgjegjësitë potenciale civile që mund të vijnë për ndërtuesin e pallatit që u dogj të martën në Tiranë nuk dihen ende dhe, me gjasa, do të kërkojnë hetime profesionale për t’u identifikuar. Dhe nëse këto hetime gjejnë fajtore kompaninë, në një vend normal, pronarët e apartamenteve të djegura do të duhet të kërkojnë në gjykatë kompensim për dëm jokontraktor nga kompania. Në një situatë hipotetike, kompania mundet të vendoset nga urdhrat gjyqësorë për kompensim, në situatë falimenti, duke i lënë kërkuesit e dëmit së paku pjesërisht të pashpërblyer. Mundet gjithashtu që zjarri të jetë aksidental, kompania të rezultojë e pafajshme dhe të dëmtuarve t’u mbesë në dorë fatura e kostove të stërmëdha që u ka shkaktuar zjarri. Këto të gjitha janë me “mundet”, ndërsa pyetja konkrete që shtrohet është nëse taksapaguesi, përmes buxhetit të shtetit, duhet të ndihmojë familjet e prekura nga katastrofa. Kryeministri Edi Rama mendon se taksapaguesit nuk duhet të kontribuojnë sepse, sipas tij, janë sigurimet ato që duhet të paguajnë.
Rama, njeriu të cilit duket se nuk i bën kurrfarë përshtypje dëmi me dhjetëramiliona euro në paracaktimin e fituesve të tenderëve nga zyrtarët e tij, jo vetëm që u shpreh shumë i prekur për pak miliona euro që taksapaguesit mund ose mund të mos jenë të gatshëm të ndihmojnë të dëmtuarit e tragjedisë, por u shfaq menjëherë edhe si gjyqtar penal edhe si gjyqtar civil, fillimisht duke shpallur se kompania nuk kishte faj për zjarrin dhe njëkohësisht, duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë për të shlyer dëmet.
Si qytetarë, ndoshta ne është mirë të bëjmë llogaritë nëse duhet të blejmë një policë sigurimi nga tregu privat apo të kërkojmë nga qeveria të hartojë një protokoll për raste të tilla tragjedie, rregulla të parashkurara në të cilat ne si taksapagues marrim përsipër të ndihmojmë të prekurit nga tragjedi të tilla. Ne mundet gjithashtu të mendojmë nëse është e arsyeshme që të dëmtuarit t’i ndihmojmë në, fjala vjen, 100 për qind të dëmit, apo në një shkallë më të ulët. Para se të shqyrtojmë këtë, duhet të shohim fillimisht se çfarë janë këto sigurimet, që sipas Ramës, duhet të ekzistojnë për situata të tilla.
Sigurimet në logjikë janë skema kolektive në të cilat, të gjithë qytetarët e rrezikuar nga një fenomen, paguajnë koston e të gjitha dëmeve rastësore, plus koston e menaxhimit të skemës dhe një normë fitimi për organizuesin, ose pronarin e kompanisë siguruese.
Në rast se janë 1 mijë anije në det dhe njëra prej tyre mbytet në stuhi duke shkaktuar, fjala vjen, 1 milion euro dëm, të njëmijë anijet do të duhet të paguajnë 1 milion eurot e dëmit plus koston e administrimit, plus normën e fitimit.
Problemi është që në Shqipëri, kostoja e administrimit dhe fitimet e kompanive të sigurimit janë në nivele jo fort të logjikshme. Nëse sheh të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, institucioni që rregullon këtë treg, mund të vëresh se shqiptarët paguan 270 milionë euro së bashku për tregun e sigurimeve gjatë vitit të kaluar. Po gjatë vitit 2025, kompanitë e sigurimit paguan 86 milionë euro dëme.
Me pak fjalë, për një “mall” që i kushtoi kompanive të sigurimit 86 milionë euro, shqiptarët paguan 270 milionë euro ose 314 për qind më shumë. Me pak fjalë, kostoja e administrimit dhe fitimet e kompanive të sigurimeve zunë dy të tretat e të gjitha parave që qytetarët paguan.
Normat kaq të larta të fitimeve të kompanive të sigurimit dukshëm lidhen me situatën oligopol që vijon tashmë që prej kohëve që nuk mbahen mend. Në disa segmente, normat e fitimit janë edhe më të larta se sa kaq.
Për shembull, shikoni segmentin e produktit “sigurimi i jetës së kreditorit”. Kjo është një police sigurimi që bankat ua shesin me detyrim qytetarëve që kanë marrë kredi për shtëpi. Gjatë vitit të kaluar, shqiptarët që gjenden në këtë situatë, pra kanë marrë kredi për shtëpi, paguan së bashku 19 milionë euro polica sigurimi jete. Por dëmet e paguara ishin vetëm 1.5 milionë, pra polica e sigurimit u kushtoi blerësve afërsisht 13 herë ose 1300% të vlerës së “produktit” që morën.
Edhe te produkti “Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë”, situata është e ngjashme. Kompanitë e sigurimeve kishin 63 mijë kontrata të tilla aktive në vitin 2025, të cilat bashkërisht paguan 2.8 miliardë lekë. Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve ishin vetëm 576 milionë lekë ose 20% e të gjitha primeve, ose me një normë fitimi pesë herë më të lartë.
Në këtë situatë, nëse qytetarët do të duhej të blinin policë sigurimi kundër zjarrit për të kërkuar dëmshpërblim për pallatin e djegur, nëse supozojmë që dëmet e zjarrit të së martës janë 10 milionë euro, ne do të na kushtonte polica e sigurimit 30 milionë euro në rastin më të mirë, ose 130 milionë euro në rastin më të keq.
Pagesa e dëmeve nga taksapaguesit përmes buxhetit të përbashkët të shqiptarëve, që është normalisht polica më e madhe e sigurimit që mund të ekzistojë, me gjasa kushton më pak se sa policat që shiten në tregun privat, por kjo, mund të thonë me cinizëm pronarët e kompanive të sigurimit, nuk është kurrsesi e garantuar.
Sepse, ndërsa dukshëm ka fitime monopoliste zhvatëse te tregu i sigurimeve private, të cilat bartin kosto të paimagjinueshme për ne të gjithë, normalisht kosto të tilla, në formën e korrupsionit, keqqeverisjes dhe “shkeljes së barazisë në tenderë”, përfshirë edhe asaj shkeljeje të barazisë për të cilën Rama këmbëngul se “nuk është korrupsion”, natyrisht që gjenden edhe te skema e dytë.
Korrupsioni është kostoja shtesë që ikën nga xhepi i taksapaguesit dhe përfundon në xhepin e të korruptuarit. Keqqeverisja është kostoja shtesë që shkaktohet, jo doemos nga korrupsioni, por shkaktohet në një masë të madhe edhe nga paaftësia. Për shembull, nëse supozojmë se nuk ka korrupsion në procedurat e prokurimit të pallateve të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019, fakti që shtatë vjet pas tërmetit, në qytete si Kruja ka ndoshta njëzet pallate të ndërtuara me paratë e taksapaguesve ku nuk banon askush, kjo natyrisht që është kosto.
Pallatet u përfunduan së ndërtuari para dy apo tre vitesh dhe dukshëm janë ndërtuar tepër. Nuk ka njerëz mjaftueshëm që duan të banojnë në to dhe aktualisht që prej dy vitesh qëndrojnë bosh, një betonizim i kotë i miliona eurove nga paratë e taksapaguesve. Por edhe “shkelja e barazisë në tenderë” për të cilën akuzohet Balluku dhe për të cilën Rama këmbëngul se “nuk është korrupsion”, natyrisht që shkakton humbje për taksapaguesit pasi, oferta më e ulët për një punë publike është skualifikuar dhe oferta më e lartë është kualifikuar, duke marrë para nga xhepi i taksapaguesit për t’u kaluar te xhepi i pronarit të kompanisë fituese.
Me pak fjalë, pyetja nuk mund të shtrohet thjeshtë nëse na del më me leverdi ta paguajmë si taksapagues përmes buxhetit, apo si klientë përmes kompanive private të sigurimeve, por pyetja është nëse, norma zhvatëse e fitimit te kompanitë private është apo jo më e ulët se sa norma e korrupsionit dhe e keqeverisjes së qeverisë.
Nuk është punë e lehtë të gjykosh sepse, ndërsa kemi statistika goxha të sakta për tregun e sigurimeve, kemi vetëm hamendësime ose informacione fragmentare për koston e korrupsionit. Kemi të dhëna fragmentare të cilat na sugjerojnë se korrupsioni mund të variojë nga 20 në 40% në rastin e prokurimeve publike dhe dimë gjithashtu se te skandali i AKSHI-t, shkalla e korrupsionit, pra paratë që përfunduan si fitime falë manipulimit të tenderëve llogaritet edhe më e lartë, në nivelin e 60%. Koston e keqeverisjes e kemi akoma më të vështirë për ta vlerësuar.
Në mënyrë që tregu i sigurimeve të jetë “konkurrues” me atë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit shtetëror, do të duhet që katër në çdo pesë lekë të taksapaguesve të humben si rrjedhojë e korrupsionit apo keqmenaxhimit dhe kjo shfaqet te fakti që në “sigurimin e pronës nga zjarri”, kompanitë e sigurimit paguajnë vetëm 20% të të ardhurave për dëme. Por mes dy “tregjeve”, ai i sigurimeve private dhe ky i korrupsionit politik, ndryshimi themelor është që, për korrupsionin politik ne flasim çdo ditë dhe në krahasim me të shkuarën, disa dënime po jepen.
Ndërsa korrupsioni politik është qartazi vepër penale, fitimet zhvatëse të kompanive të sigurimeve janë sot e të gjithë ditën, legjitime. Në këto kushte, ka shumë gjasa që, mbulimi i tragjedive të tilla si zjarri i së martës, por edhe dëmet që Rama ka marrë përsipër t’ua paguajë fshatarëve që u prekën nga zjarret masive të verës së kaluar, të kushtojnë më lirë të kryhen përmes taksimit të përgjithshëm.
