Sat, Apr 18, 2026

Beteja për titull në Angli, Guardiola i sinqertë: Nëse nuk fitojmë, jemi jashtë. Arteta e zbut: Është ndeshje e radhës

Beteja për titull në Angli, Guardiola i sinqertë: Nëse nuk fitojmë, jemi jashtë. Arteta e zbut: Është ndeshje e radhës
  • PublishedApril 18, 2026

Në Angli, ka vetëm një dilemë në lidhje me garën për titull, Arsenal apo Man.City, cili do të fitojë këtë edicion titullin në Premier League, një pikëpyetje që pritet të marrë një përgjigje, mbase përfundimtare këtë të diel ku në “Etihad”, Man.City pret Arsenal, në atë që konsiderohet ndeshja e titullit. Në vigjilje të këtij super takimi, Pep Guardiola merr një lajm jo pozitiv pasi tekniku bask duhet të bëjë llogaritë pa Ruben Dias, i ndalur së fundmi për një problem në kavilje. I vetëdijshëm për peshën e këtij takimi është Pep Guardiola, me trajnerin e Man.City i cili u shpreh i bindur se nëse humbasin ndaj Arsenal atëherë janë jashtë garës për titull:

“Sigurisht, nëse humbasim gjithçka përfundon. Çdo rezultat tjetër na mban ende në garë pasi 6 ndeshje janë shumë”, theksoi Guardiola në konferencë për shtyp.

Kjo pritet të jetë një ndeshje me shumë emocion, me shumë presion, por nuk e sheh në këtë mënyrë Erling Haaland, me biondin që theksoi se nuk ndjen asgjë: “Më ndodh shumë rrallë që të ndjej këtë lloj presioni. Për të qenë i sinqertë nuk është se ndjej tension apo diçka tjetër, pasi kemi të gjithë sezonin që i ndjekim dhe nuk kemi asgjë për të humbur, pra nuk ndjej asnjë lloj presioni”, u shpreh Haaland.

Sigurisht, presioni në këtë rast është mbi Arsenal, pasi “topçinjtë” lëshuan “pe” në mënyrë të papritur, ku humbja e fundit kundër Bournemouth futi Man.City në garë. Arteta duhet të bëjë llogaritë në këtë sfidë pa Bukayo Saka:

“Është jashtë, kjo është e sigurt”, u shpreh fillimisht Arteta duke shtuar: “Ndaj Man.City është ndeshja më e rëndësishme, kjo pasi është ndeshja e radhës. Përballë do të kemi skuadrën dhe trajnerin më të mirë në këtë kampionat, por për ne kjo është një mundësi e shkëlqyer për të fituar, jemi përgatitur për këtë”, u shpreh Arteta në konferencë për shtyp.