Sezoni i dytë pa trofe, Perez shkund Realin, nis “gjuetia” për trajnerin e ri, tre emra “big” në listën e dëshirave
Në Madrid, fakti që po shkojnë drejt sezonit të dytë radhazi pa trofe, po përjetohet si dramë, me presidentin Perez që u shfaq i tërbuar pas eliminimit në Champions përballë Bayern Munich. Është thuajse e pamundur që Perez të qëndrojë pasiv përballë një situate të tillë, edhe pse lojtarët kanë shprehur dëshirën e tyre që Arbeloa të konfirmohet në krye të ekipit edhe në sezonin e ri.
Mediat në Spanjë, jo vetëm që nuk e besojnë këtë skenar, por janë të bindur se Arbeloa e ka firmosur fatin e tij, në kuadër të sezonit të ri do të këtë një ndryshim rrënjësor, duke nisur nga pankina. Perez dhe stafi i tij kanë përpiluar një listë të shkurtër me tre kandidatët kryesor për të pasuar Arbeloa-n.
Në majën e listës së dëshirave është Jurgen Klopp, por përcaktues në këtë pikë është vetë dëshira e teknikut gjerman, nëse do të shfaqet i gatshëm për t’u rikthyer edhe një herë në stol.
Në listë është edhe Dider Deschamps, me teknikun francez që do të largohet nga ekipi përfaqësues menjëherë pas përfundimit të Botërorit “FIFA2026”. Deschamps është një zgjedhje e diktuar nga grupi francez i Real Madrid, me në krye Kylian Mbappe.
I fundit, por jo më pak i rëndësishmi, është një dëshirë e vjetër e Florentino Perez, Max Allegri. Disa herë në të kaluarën, Allegri ka qenë një opsion për stolin e Realit, kështu pritet të jetë edhe këtë herë, edhe pse tekniku italian ndihet komod në stolin e Milan, të paktën për momentin.
