Mon, Apr 27, 2026

Derbi, një bekim për Tiranën, por “ethet” e mbijetesës “djegin” akoma

Derbi, një bekim për Tiranën, por “ethet” e mbijetesës “djegin” akoma
  • PublishedApril 27, 2026

4 javë përpara fundit, beteja për të mbijetuar në elitë ndizet gjithnjë e më shumë, kjo pasi 5 ekipe janë ende në garë për shpëtuar sezonin. Si gjithnjë, në këtë pikë flitet shumë për aleanca, kompromise, tolerime, nuk i shpëtoi këtij diskutimi as derbi i përjetshëm Tirana-Partizani, me tifozët që nguruan të lëshonin akuza në distancë.

Në fushë, edhe këtë herë derbi rezultoi një sfidë me emocione, mbi të gjitha në pjesën e dytë, ku bardheblutë gjetën forca duke përmbysur rezultatin 2-1, një fitore jetike që nxjerr Tiranën nga “zona e kuqe”. Derbi për Tiranën edhe këtë sezon është kthyer në bekim pasi në dy momentet më të vështira kanë arritur t’i marrin 6 pikë “demave”.

Në pritje të Flamurtarit, që ka një ndeshje më pak, Tirana, Vora dhe Bylis qëndrojnë në kuotë të njëjtë pikësh, tre ekipe me 35 pikë që pritet të luftojnë deri në fund për të mbijetuar në elitë. Kësaj “valleje” nuk i shpëton as Teuta, me ekipin bregdetar që qëndron në kuotën e 38 pikëve. Java e 34-ët e Abissnet Superiore, sjell një përplasje direkte për mbijetesë, me Teutën që pret Tiranën në “Niko Dovana”, një ndeshje që pritet të thotë jo pak mbi këtë garë.

Më pas Tirana, por dhe ekipet e tjera që luftojnë për të mbijetuar duket të bëjnë llogaritë me ekipet e kreut. Vetëm java e fundit sjell një ndeshje direkte, me Vorën që pret Bylis.